Siç dihet, procesi i Stabilizim-Asociimit ishte lansuar që nga fundi i luftës në Kosovë dhe ai vlente për vendet e rajonit të Ballkanit perëndimor, të cilat së pari duhej të stabilizoheshin, e pastaj duke u asociuar me BE-në, të ecin drejt rrugës së anëtarësimit të plotë në BE. Deri më tani Kroacia është shteti i vetëm, i cili përmes procesit të Stabilizim – Asociimit, ka arritur edhe integrimin e plotë duke u bërë anëtare e Bashkimit Evropian më 1 korrik. Kroacia negociatat për Marrëveshje të Stabilizim – Asociimit i kishte nisur në vitin 2000, ndërsa të gjitha vendet e rajonit, po ashtu, kanë arritur të kenë marrëveshje të tilla me BE-në.
Deri më tani, Kosova është lënë anash nga ky proces. Ajo përmes dialogut të Stabilizim – Asociimit, e më parë të ashtuquajturve mekanizma përcjellës të MSA-së, ka arritur që t’i përshtatë disa ligje të saj me BE-në dhe të vazhdojë konsultimet me BE-në, por nuk ka pasur mundësi që të negociojë MSA-në.
Kosova deri më tani ka ngecur në këtë, jo vetëm për fajin e saj, por para së gjithash, për një pamundësi që brenda BE-së të arrihet një konsensus për mënyrën dhe formën se si të arrihej një marrëveshje e tillë në kohën kur 5 shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet. Kjo do të thotë se me Kosovën do të negociojë Komisioni Evropian dhe marrëveshja që do të arrihet, nuk do të ketë nevojë të kalojë përmes procesit të ratifikimit në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, që do të thotë se vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e mbështesin një proces të tillë dhe nuk do ta pengojnë atë. Ky ka qenë edhe çelësi, sipas të cilit është gjetur mundësia që më 28 tetor të nisin negociatat për MSA.
Aspiratat e Brukselit janë që negociatat të zgjasin deri në pranverë, që në verën e vitit që vjen, të përpilohet teksti i marrëveshjes dhe të vihen inicialet në të, kurse deri në fund të mandatit të tashëm të Komisionit, pra para fundit të vitit që vjen, edhe të vendoset për konkludimin e kësaj marrëveshjeje dhe nënshkrimin e saj. Me marrëveshjen e MSA-së Kosova do të përfitojë sidomos në aspektin tregtar.
Vëzhguesit e pavarur thonë se procesi i negocimit të marrëveshjes për stabilizim asociimin me Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për reformimin e institucioneve të vendit. Ata thonë se një nga sfidat kryesore në këtë proces mbetet përmbushja e disa çështjeve me përparësi lidhur me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.