Lorik Cana u përball dje me Olimpikun e Marseilles në kuadër të javës së 12-të të Ligës së Parë franceze.
Nantes, ku luan mbrojtësi kuqezi, nuk arriti ta shmangte humbjen para tifozëve të saj, edhe pse sipas Canës, zhvilloi një ndeshje të mirë.
“Jemi të zhgënjyer për humbjensepse zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë. U shfaqëm agresivë dhe patëm disa mundësi të mira për të shënuar, por dështuam në finalizimin e aksioneve. Edhe në pjesën e dytë tentuam të luanim në të njëjtën mënyrë, por një gabim na kushtoi rëndë dhe më pas e kishim të vështirë për të barazuar, sepse Olimpiku i Marseilles u mbrojt mirë deri në fund”, tha kapiteni i Kombëtares.
Para se të startonte ndeshja, fansat e Marseilles brohoritën emrin e Canës në shenjë mirënjohjeje për githçka ka dhënë te ky klub vite më parë.
33-vjeçari gjeti rastin për t’i falenderuar për qëndrimin e tyre.
“Gjithmonë kam patur një marrëdhënie të veçantë me tifozët e Marseilles, pasi edhe unë jam një fans i kësaj skuadre. Gjithsesi në këto 90 minuta dhashë gjithçka për të fituar. Ky është Loriku që ata njohin. Ata u treguan fantastike dhe për këtë dua t’i falenderoj. Tani duhet të ndjekim rrugën tonë dhe do të kërkojmë të fitojmë në ndeshjen pasardhëse”, ka shtuar Cana.