Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim anëtarët e Grupit punues për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, zëvendëskryeprokuroren e Shtetit, Sevdije Morina, zëvendësministrin e Drejtësisë, Lirak Çelaj dhe përfaqësuesen e EULEX-it, kryeprokuroren Jaroslava Novotna
Siç bëhet e ditur në një njoftim të Presidencës, Jahjaga i përgëzoi përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë për finalizimin e planit të veprimit për qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke e cilësuar atë si një nismë të rëndësishme të institucioneve të vendit për ofrimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Presidentja Jahjaga tha se qasja në drejtësi është një ndër prioritetet kryesore të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, me qëllim të rehabilitimit të këtyre viktimave dhe theksoi nevojën e ofrimit të mekanizmave ligjorë institucionalë në përputhje me specifikat e këtij krimi të luftës”, thuhet në njoftim.
Më tej shtohet se zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj tha se për implementimin e këtij plani duhet të bëhen reformat e nevojshme në institucionet e drejtësisë, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të akterëve relevantë, si dhe ofrimin e mbështetjes për të garantuar fuqizimin e viktimave të dhunës seksuale dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore për këtë krim lufte.
Ndërkaq, po sipas njoftimit, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci njoftoi Presidenten Jahjaga me vendimin e këtij institucioni për përzgjedhjen e tre gjyqtarëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga një gjyqtar në gjykatat rajonale themelore të Kosovës, për të marrë përgatitjen e nevojshme profesionale për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën seksuale gjatë luftës si dhe me dhunën në familje.
“Përkushtimin e tyre për t’iu mundësuar qasje në drejtësi viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës e shprehën edhe zëvendëskryeprokurorja e shtetit, zonja Sevdije Morina, si dhe përfaqësuesja e EULEX-it, zonja Jaroslava Novotna”, shtohet më tej në njoftim.
Grupi punues për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës është formuar me kërkesë të Presidentes Jahjaga, si pjesë e angazhimeve në kuadër të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.