Partitë opozitare, ndryshe prej disa seancave të kaluara, atë të sotmen kur është ratifikuara MSA-ja, nuk e ka penguar. Ndonëse ka shprehur pakënaqësitë me këtë marrëveshje ndërkombëtare, Vetëvendosje, AAK e Nisma nuk e kanë penguar mbajtjen e seancës, raporton Koha.net.
Kësisoj, opozita ka djegur argumentin për ta bllokuar tutje Kuvendin. Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi, ka shprehur bindjen se opozita, duke mos e penguar procesin e votimit të saj, është bërë hisedare në ratifikim.
“Në nenet 5 e 13, MSA-ja imponon respektimin e të gjitha Marrëveshjeve të arritura me Serbinë. Moszbatimi i secilës prej tyre, përfshirë Marrëveshjen për Asociacionin, i jep të drejtë BE-së ta pezullojë MSA-në”, ka thënë Krasniqi.
Nenet përkatëse, sikurse edhe marrëveshjen e plotë të MSA-së, të përkthyer në shqip mund ta lexoni në këtu: http://www.mei-ks.net/repository/docs/Kosovo-EU_SAA_Final_SQ.pdf
Nga ana tjetër, analisti Halil Matoshi, ka thënë se opozita, nën drejtimin e VV-së nuk e bllokoi seancën për ratifikimin e MSA-së sepse kjo do t’i hakmerrej fuqishëm nga shoqëria kosovare, e cila, siç ka thënë Matoshi, është shumë e lidhur emocionalisht me perëndimin.
“Mirëpo ajo nuk e votoi ratifkimin dhe kjo paraqet ‘time-out’ për Qeverinë dhe një humbje të lehtë të argumentit se Kuvendi duhet bllokuar për shkak të Asociacionit, ngase, MSA-ja që nuk u pengua, pikërisht e obligon Kosovën që të zotohet se do t’i zbatojë Marrëveshjet me Serbinë”, ka thënë Matoshi, për Koha.net.
Shefi i Grupi Parlamentar i Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se duhet përshëndetur nënshkrimin MSA-së, por duhet shikuar se në ç’rrethana u nënshkrua kjo marrëveshje.
“Rrethanat në të cilat u nënshkrua MSA e futi Kosovën në situatë kontestues. Ajo u nënshkrua me fusnotën. Pra, BE, me fusnotë, e ka lënë Kosovën në rajon të kontestueshëm, që do të thotë se Kosova varet edhe nga Serbia dhe sidomos nga Zajednica”, tha në fjalën e tij në Kuvend shefi i deputetëve të LVV-së.
“MSA nuk u kushtëzua me korrupsionin, me reformat në drejtësi dhe me luftën kundër krimit të organizuar. MSA erdhi vetëm për shkak të Marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë. E këtë marrëveshje nuk bazohen në reciprocitete shtetëror. Me to Beogradit po i krijohet një instrument i fuqishëm në vendin tonë”, tha më tej Konjufca, teksa ka përmendur nenet
5 dhe 13 të MSA-së.
E shefja e deputetëve të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi theksoi se substanca e kësaj marrëveshje ka shumë defekte, teksa ka ritheksuar sërish dy marrëveshjet, atë për AKS-në dhe atë Demarkacionit me Malin e Zi, si të dëmshme për Kosovën.
Në emër të Nismës për Kosovën, sot në Kuvendin e Kosovës ka folur Valdete Bajrami, që i prin grupit parlamentar të kësaj partie. Ajo tha se Nisma nuk është kundër MSA-së, por është kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.
“Ne do të përkrahim çdo nismë dhe çdo marrëveshje të dobishme për Kosovën”, tha ajo.