Lajmet e fundit

10 këshilla për të kapërcyer lodhjen

Puna, familja, shkolla e shumë aktivitete të tjera të përditshme shkaktojnë padyshim lodhje te çdokush. Por nëse do të dini ta menaxhoni më mirë jetën tuaj, ju do ta ndieni më pak lodhjen! Ne po ju sugjerojmë disa këshilla se si ta kaloni atë lehtësisht e t’i kushtoni më shumë kohë vetes…

Sigurisht, lodhja është e natyrshme në mënyrën tonë të të jetuarit. Stërmundimi dhe stresi janë shkaqet kryesore. Përpara se të përdorni një “koktej” vitaminash dhe stimulantësh të çfarëdo lloji, mësoni të pushoni dhe ta lini pas dere lodhjen. Të parandalosh lodhjen është arma më e mirë për të shmangur gjendjen kronike. Por duhet të dini ta bëni këtë.

1–Në darkë hani lehtë

Në vend të një darke me bollëk është më mirë të hani një mëngjes të pasur me vitamina, i cili do t’iu japë energji gjatë gjithë ditës. Përndryshe, një vakt darke i rëndë rrezikon cilësinë e gjumit tuaj. Gjumi cilësor është aleati më i mirë për të shmangur lodhjen.

2–Bëni një ushqyerje të shëndetshme dhe të ekuilibruar

Ushqyerja duhet të mbulojë të gjitha nevojat e përditshme me proteina, vitamina dhe kripëra minerale. Nëse ushqyerja juaj nuk është e larmishme dhe e ekuilibruar, mangësitë ju presin pas derës.

3–Flini mirë

Është e këshillueshme të mos flini as shumë dhe as pak, mbi të gjitha flini rregullisht. Përkushtojani netët nevojave tuaja. Për t’u ndier në formë, disa kanë nevojë për 6 orë gjumë, ndërsa të tjerë duan 8 ose 10 orë.

4–Respektoni oraret dhe ritmet e gjumit

Nuk ka asgjë më të keqe se sa të shkoni në shtrat në orare të ndryshme. Ora jonë biologjike “mërzitet” nga kjo gjë dhe lodhja në këtë mënyrë bëhet e pashmangshme. Në mbrëmje mos ngurroni të futeni në batanije kur ju hapet goja. Mos u mundoni të rezistoni dhe të luftoni kundër gjumit. Nëse e largoni momentin e gjumit, rrezikoni ta prisni atë për dy apo tre orë të tjera. Zgjimi juaj, padyshim, do të jetë edhe më i vështirë.

5–Krijoni një vakum te vetja, para se të flini

Është e padobishme që të merrni në krevatin tuaj punën, fëmijët dhe të gjithë shqetësimet. Lërini shqetësimet pas pragut të dhomës së gjumit. Ajo duhet të jetë një vend qetësie. Çdo gjë ka kohën e saj.

6–Mësoni të delegoni

Mbingarkesa në punë gjithmonë gjeneron në lodhje. Mësohuni të rrethoheni nga persona që mund t’i jepni besimin tuaj dhe të mbështeteni sa më shumë te bashkëpunëtorët tuaj.

7–Organizohuni

Fundjavat tuaja i ngjajnë gjithmonë një maratone. Ju duhet të pastroni shtëpinë, të hekurosni, të bëni pazar, t’u bëni detyrat fëmijëve, të përfundoni raportet e punës, të dilni për darkë me miqtë, të shkoni në një festë dhe të hënave ndiheni të shkatërruar! Provoni që disa prej këtyre aktiviteteve t’i bëni gjatë javës, kërkoni ndihmën e partnerit tuaj. Bëni një axhendë javore duke alternuar momentet e pushimit dhe të aktiviteteve. Fundjavën kushtojuani momenteve të qetësimit dhe të argëtimit.

8–Bëni sport

Lodhja shpesh vjen si pasojë e një jete shumë sedentare, pa lëvizje dhe aspak tërheqëse. Në vend të kompjuterit tuaj zgjidhni një shëtitje në ajër të freskët ose praktikoni në një mënyrë të arsyeshme sportin tuaj të preferuar.

9–Mësoni t’u thoni “jo” fëmijëve tuaj

Fëmijët tanë të dashur e dinë shumë mirë se si të na “rrëmbejnë”. Ndonjëherë është mirë për ju t’i “refuzoni” për të pushuar. Këshillojuni atyre një libër të mirë dhe kështu jeni në rregull.

10–Çlodhuni

Një banjo e mirë, pak frymëmarrje adominale (e barkut), një masazh nga partneri…janë metoda të shkëlqyera antistres dhe kundër lodhjes. Do të ishte një mëkat ta privonit veten nga to.

Leave a Reply

Your email address will not be published.