Shumicën e herëve, kur përshkojnë rrugën e lagjes ku jetojnë, ecin kokulur. Ato shpresojnë të mos e dëgjojnë ndonjërin të thotë “këqyre kjo”. Kjo shprehje i tmerron ato. Por, nuk reagojnë,
Kështu të margjinalizuara, e nën ndjenjën e marres, jo pak gra të Kosovës, tash e më tepër se 16 vjet po durojnë ndjenjën e turpit për atë çfarë u ndodhi gjatë luftës, pa fajin e tyre.
Këto gra, pavarësisht moshës, u dhunuan nga forcat paramilitare serbe dhe ato të sigurisë, të cilët nuk zgjodhën vend e as mënyra për të kryer krimin e rëndë të luftës.
Në gjithë atë vuajtje gratë e dhunuara të shihnin edhe femra tjera që po u ndodhte e njëjta gjë.
Viktimat ishin betuar mes vete të mos tregojnë çfarë u ndodhi. Por, e kishin vështirë pasi kishte shumë kureshtje nga tjerët për të kuptuar se çka u kishte bërë vaki, kur ishin marrë nga ushtarët, policët e paramilitarët.
Njëra nga gratë që pësoi tha se ishte vetë e pesta kur u dhunua. Ajo ditë, që ishte e martë, i solli vuajtjet më të rënda në jetë.
Shumë nga to ende nuk e kanë marrë guximin e ta lirojnë vetën nga barra e sekretit që mbajnë. Burrave, prindërve, vëllezërve e fëmijëve të shumicës së tyre as që ua merr mendja çfarë ndodhi.
Meqenëse meshkujt nuk e dinë, të dhunuarat i shmangen secilit rast kur përmendet tema që i prek ato.
E për gratë që familja e di se çfarë u ka ndodhur, është më lehtë. Njëra nga to tha se dhimbja dhe vuajtjet i janë përgjysmuar.
https://www.youtube.com/watch?v=njfFAsVwWcI