Lajmet e fundit

Katunarja e Gjakovës!!!

Furtuna Shabani

Ju qytetarët e Gjakovës mos e lexoni shkrimin se unë jam katunare e juve nuk ju pëlqejnë katunartë, besa nuk do t’iu pëlqejnë as shprehjet e mija!
Shumë njerëz i habiti video që qarkulloi sot nëpër internet. Besa mori edhe komente të shumta, se për popullin është e pakuptueshme se si një vend, me kaq shumë intelektualë, ka një mentalitet të tillë. Edhe kryetarja e Gjakovës u mundua ta mbulojë këtë duke ia hedhur fajin gazetares se kinse ka qenë e anshme.
Ndoshta shumëkush u habit, por jo edhe unë! Po ashtu besoj se një video e tillë nuk i ka çuditur as qytetarët e as katunarët e Gjakovës. Edhe nëse kryetarja ia hedhë fajin gazetares e montazhës edhe nëse gazetarja dhe montazheri kanë qenë të anshëm, kjo nuk ndryshon asgjë. Ne, të gjithë ata që banojmë në qytetin e Gjakovës e edhe në fshatrat e këtij qyteti, hyrja në të cilin më parë paska qenë e vështirë për shumë kë, e dimë se cili është realiteti.
Unë kam shpresuar shumë që në qytetin ku kam lindur e jam rritur… nejse jam rritur në një katund të bukur të Gjakovës, ka ndryshuar situata qe gjashtë vite prej kur unë nuk jam aktive atje. Fatkeqësisht jo, nuk ka ndryshuar aspak. Nuk e them vetëm nga video, por edhe nga familjarët dhe miqtë që jetojnë dhe veprojnë atje. Unë edhe vet jam fyer nga “qytetarët” e Gjakovës, dhe e mbaj mend fort mirë.
Para 6 viteve, kur kam qenë nxënëse e Gjimnazit “Hajdar Dushi”, si sot më kujtohet kur u ngrita ta shpjegoj veprën “Besa” të Sami Frashërit. Gjatë analizës së veprës unë përdora shprehjen “zatet” që në gjuhën standarde shqipe nënkupton “takim”. Si rezultat, të gjithë klasës i doli flaka, pikërisht për faktin se unë përdora shprehje që për qytetarët e Gjakovës ishte shprehje e papranueshme, ngase nuk i përkiste gjuhës standarde shqipe. Dhe po, kishin të drejtë. Por edhe unë kisha të drejtë, ngase vepra ishte e lashtë dhe unë përdora fjalën “zatet” se i përkiste periudhës në të cilën ishte shkruar vepra. Por ata nuk ishin kundër shprehjes, ishin kundër meje, kundër katunares e cila e kishte lexuar veprën e ishte ngritur për t’ua shpjeguar atyre. E paramendoni dot? Unë katunarja e cila po shpjegoja për qytetarët, për ata që nuk kishin nevojë për pasaportë!!! Ky është vetëm një rast, se ka edhe shumë raste tjera të mijat e të miqve e familjarëve të mijë.
Por, shpresoja shumë që kjo nuk ndodhë më në qytetin tim. Por po, kjo është Gjakova jonë dhe këta janë qytetarët e Gjakovës-Gjakovarët përndryshe, se mos po hidhërohen se nuk i etiketova mirë. Mua nuk më habiti fare video, se ne krejt e dimë që ky është realiteti qe “zihet” në qytetin tonë. Bile bile, ato çikat i përgëzoj që të paktën ishin të sinqerta.
Çudi që atë sinqeritet nuk e kanë kur vijnë në Prishtinë për studime. Me keqardhje e them por të shumta janë rastet kur pikërisht qytetarët e Gjakovës kërkojnë ndihmë për provime nga katunarët e qytetit të tyre. Sigurisht disa prej tyre e kanë në kulturë të jenë të pakulturuar.
Edhe kryetaren e Gjakovës e kuptoj, ajo duhet ta mbrojë vendin e vet. Por, nëse për çdo gjë pajtohem me kryetaren, nuk pajtohem me faktin se në Gjakovë nuk mbizotëron një realitet i tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.