Lajmet e fundit

Dëshmon polici që pa vrasjen gjatë përleshjes mes dy familjeve

Polici Besim Sylejmani dëshmoi në gjykimin për përleshjen mes dy familjeve, ku u vra një person dhe u plagos një polic.
Në këtë proces gjyqësor, Skender Berisha akuzohet për vrasje, ndërsa të akuzuar janë edhe 14 persona tjerë.

Në seancën e sotme të zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prizren dëshmoi polici Besim Sylejmani, në praninë e të cilit ndodhi vrasja dhe rrahja masive mes familjeve Berisha dhe Avdylaga, më 29 qershor 2014.

Sylejmani tregoi për tmerrin që kishte hasur ditën kritike, kur edhe ishte plagosur kolegu i tij. Ai tha se pasi kishin pranuar një telefonatë, se kishin shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas një bisede të shkurtër me njërin prej anëtarëve të këtyre dy familjeve, ishin mbledhur këta anëtarë – rreth 20 persona – dhe kishin filluar rrahjen mes tyre.

Dëshmitari bëri të ditur se ishte i pamundur intervenimi në atë rast, pasi edhe vetë policët e kishin jetën të rrezikuar.

“Në një moment kam dëgjuar të shtëna armësh dhe e kam pasë kolegun e plagosur.Në pamundësi për të intervenuar, pasi kishte eskaluar situata, e kemi tërhequr kolegun për të mos u gjendur ende para rrezikut dhe kemi kërkuar ndihmë shtesë nga policia,” tha dëshmitari”, tha ai.

Sylejmani shpjegoi se krejt kjo ndodhi për disa minuta.

Avokati Naim Qelaj që është mbrojtës i djalit të viktimës, tha se policët nuk po e thonë të vërtetën.

Familjet Berisha e Avdylaga u përleshën vitin e kaluar për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me një pronë. Nga kjo përleshje masive vdiq një anëtar i familje Avdylaga.

Nga 15 të akuzuarit, Skender dhe Shpend Berisha ndodhen në paraburgim që nga dita kritike. Seanca do të vazhdojë nesër me dëshminë e policit të plagosur gjatë përleshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.