Ekonomia e Eurozonës doli nga recesioni i gjatë në tremujorin e dytë të këtij viti dhe studimet e fundit të tregut sugjerojnë për një rimëkëmbje, megjithëse ende anemike.
Ekspertët e sektorit të hoteleri-turizmit mendojnë se dalja e Spanjës nga recesioni në tremujorin e tretë të këtij viti ishte falë performancën mjaft të mirë të sezonit turistik, ku “të ardhurat për dhomë” kanë qënë më të larta krahasuar me një vit më parë edhe për shkak të mungesës së hapjes së hoteleve të rinj. Por problemi kryesor vazhdon të jetë punësimi, pasi ky sektor punëson staf të ri me kontrata sezonale, në pritje të shenjave reale të rimëkëmbjes ekonomike për të punësuar staf të përhershëm.
Një tjetër biznes i afërt me punësimin është edhe kompania franceze e manaxhimit të mbetjeve dhe ujit, Suez, deklaroi se rritja e qëndrueshme nuk ka mbërritur ende, por të paktën nuk po regjistrohet rënie e treguesve kryesorë.
“Ne nuk po shohim një rimëkëmbje të aktivitetit industrial, por po hyjmë në një fazë stabilizimi”, deklaroi Jean-Marc Boursier, kryefinancier i kompanisë Suez, e cila shikon një lidhje të afërt midis prodhimit industrial dhe volumit të mbetjeve të trajtuara. Edhe kompanitë që furnizojnë sektorin e ndërtimit, si francezja Saint-Gobain apo britanikja Travis Perkins, gjithashtu shikojnë një përmirësim të të ardhurave të tyre nga rritja e shitjeve të shtëpive. Saint-Gobain, që është kompania më e madhe në Europë në prodhimin e materialeve të ndërtimit si dhe prodhon xhama për dritare dhe automjete, deklaroi se kushtet e tregut në Europë po stabilizohen gradualisht dhe parashikon një rritje të vazhdueshme në Britani dhe Gjermani.
Gjithashtu, edhe prodhuesit e automjeteve shprehen se më në fund po shohin disa arsye për të shpresuar, pasi tregu europian i automjeteve shënoi rënie për shtatë tremujorë me radhë. Edhe kompania gjermane, Daimler, që prodhon Mercedes-Benz shprehet se pritet një përmirësim i këtij tregu por paralajmëroi se Europa Perëndimore mbetet në një nivel shumë të ulët të shitjeve dhe vazhdon të jetë shumë konkurruese.