Lajmet e fundit

Jeta Xharra në Bruksel krahason Express’in me “Informerin” e Vuçiqit

Në këtë konferencë foli edhe Drejtorja e BIRN Kosovës, Jeta Xharra. Në fjalimin e saj Xharra foli për përvojën e gazetarëve të rajonit, duke veçuar hulumtimet në Kosovë, Shqipëri e Serbi.
Ajo tregoi se si me 25 gusht u publikua një artikull që tregonte se si Kryeministri i Kosovës i ndau tenderin qeveritar për riparimin e makinave BMË kompanisë në pronësi të djalit të tij.
“Një gazetë lokale në pronësi të një ish-deputeti të PDK-së vendosi që në të njëjtën javë të sulmojnë Faik Ispahiun, Producentin Ekzekutiv të programit tim “Jeta në Kosovë” duke publikuar një foto ku Faiku ishte në panel me Vuçiqin dhe Ramën në forumin e Vjenës së organizuar së voni kështu që Faiku bëri foto me Vuciq dhe Ramën dhe i publikoi në Facebook-un e tij. Më 27 gusht, gazeta Express, që është baras me “Informer” dhe “E-novine” të Vuçiqit në Serbi, e mori këtë foto dhe e publikoi në një artikull që thoshte që kjo është një provë se çka kemi dyshuar gjithmonë… që ai punon për Shërbimet Sekrete të Serbisë, ai historikisht ka punuar me gazetarë serbë, që qendra e BIRN-it është në Beograd – pa marrë parasysh faktin që baza jonë është në Sarajevë – [ata shkruan] që stafi ynë në Kosovë është aq i lidhur me Serbinë, saqë paguhemi në dinarë”, tha Xharra.
Ajo tha se është dërguar një ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës për këtë artikull por sipas saj rezultati ka qenë baras me zero.
“Lajmi i keq është që kur kemi dërguar ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës për këtë artikull të mbushur përplot me gjuhë shpifëse, gënjeshtra dhe me mungesë faktesh shumica e anëtarëve të KSHMK-së kanë vendosur që aty nuk kishte asnjë gabim pesë nga ta kanë votuar kundër ankesës sonë ndërsa pesë nga ta që e mbajnë veten si media të respektuara këtu në konferencën e SPEAK UP kanë abstenuar që ta shpallin këtë artikull si jo-profesional. Vetëm tre anëtarë kanë votuar për faktin që ky artikull është jo-profesional” tha Xharra.
Megjithatë Xharra tha se lajmi për dhënien e tenderëve është bërë lajm i shumë mediumeve të mëdha në botë dhe se ky lajmi është bërë aq i madh sa Mustafa e ka anuluar tenderin për shkak për shkak të “turpërimit ndërkombëtar”.
“Lajmi i mirë këtu është që ne kemi arritur ta frikësojmë atë që mos të bëj gabime”, tha Xharra.
Xharra foli për përvojën e gazetarëve në BIRN Serbia, të cilët u sulmuan pasi që hulumtuan privatizimin e një kompanie kombëtare ajrore. Gazetarët zbuluan detaje të kontratës së dyshimtë me partnerin arab, duke treguar që aksionet minoritare në kompani do t’i kushtonin shtetit më shumë sesa po investonin partnerët arabë në aksionet e shumicës.
Ajo tha se pas reagimit të Kryeministrit Vuçiq, financimi i Bashkimit Europian për BIRN Serbinë u ndalua.
“Ndoshta po gjej kuptim tjetër në këtë, por, nuk mund të mos vërej që në rastin e BIRN Serbia, qeveritë shtypëse po ia dalin të frikësojnë disa nga donatorët që financojnë gazetari hulumtuese”, tha Xharra.
Duke folur për hulumtimet në Shqipëri, Xharra tha se pas publikimit të një hulumtimi për të kaluarën kriminale të disa kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet lokale, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kërcënoi që do të padisë BIRN Albania dhe gazetarët e përfshirë në artikull.
“Rama konfirmoi këto kërcënime edhe në një intervistë për televizionin ABC News. Kërcënimet ligjore kundër BIRN Albania nuk u materializuan kurrë. Por një kërcënim tjetër lindi kur kryetari i parlamentit [të Shqipërisë], që e shihni këtu, Ilir Meta, anëtar koalicioni i Z. Rama, tha në seancën parlamentare të 1 tetorit që ka një komplot “Mafiozësh” kundër tij dhe fajësoi BIRN-in që e ka lidhur atë me pretendimet e korrupsionit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë CEZ-DIA dhe me biznesmenin e arrestuar, Kastriot Ismailaj”, tha Xharra.
Në këtë konferencë Drejtoresha e BIRN Kosova foli edhe për padinë që BIRN e ka bërë kundër Zyrës së Kryeministrit, duke fituar rastin pasi që Gjykata vendosi se arsyetimet e ofruara nga Zyra e Kryeministrit nuk janë të bazuara.
“Përveç që kemi hasur në një gjykatës trim, e kemi fituar këtë rast në shkallën e apelit ngase Zyra e kryeministrit ka harruar të paguajë taksën gjyqësore prej 30 eurosh”, tha Xharra.
Në emër te BE-së në këtë konferencë dhanë përkrahje për lirinë e shprehjes dhe medieve, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, dhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut nga Këshilli i Evropës, Nils Muiznieks.

Leave a Reply

Your email address will not be published.