Lajmet e fundit

Leonard Kërquku: Jeta Xharra i bëri një shërbim të keq gazetarisë dhe Kosovës

Kryeredaktori i Gazetës Express, Leonard Kërquku ka reaguar ndaj deklaratës së gazetares së BIRN-it, Jeta Xharra, e cila në Bruksel e krahasoi këtë medium me “Informer” dhe “E-novine” të Vuçiqit në Serbi. Kërquku në një prononcim për Gazetën Blic ka theksuar se Xharra në këtë fjalim edhe njëherë i bëri një shërbim të keq gazetarisë dhe Kosovës. Ai tha se Xharra këtë paraqitje e bëri kësisoj duke u munduar që të përfitoj sa më shumë grante.

“Përgjigjen për këtë e ka dhënë Këshilli i Mediave, duke hedhur poshtë ankesën e Shefit të Birn’it dhe shërbëtores së tij, zonjes Xharra”, ka thënë Kërquku për Gazetën Blic.

“Ajo sot në Bruksel e kishte rastin të flasë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen mediat në Kosovë, por s’e bëri. Në vend të kësaj, ajo tentoi ta paraqiste veten dhe Shefin si të shtypur në mënyrë që të përfitojnë sado pak nga grandet evropiane”, ka thënë ai.

LEXO KËTË: Jeta Xharra në Bruksel krahason Express’in me “Informerin” e Vuçiqit

Sipas kryeredaktorit të Gazetës Express, ky është edhe një shërbim i keq që zonja Xharra ia bëri gazetarisë dhe vendit të saj.

“Unë isha në sallë, në ndërtesën e Komisionit Evropian, dhe më vjen keq se zonja u bë subjekt talljeje nga kolegët, nga i gjithë rajoni dhe Turqia – pavarësisht se e meritoi”, ka thënë ndër të tjera ai.

Xharra në fjalimin e saj ka theksuar se Gazeta Express është e barabartë me dy mediumet e Vucicit.

“Një gazetë lokale në pronësi të një ish-deputeti të PDK-së vendosi që në të njëjtën javë të sulmojnë Faik Ispahiun, Producentin Ekzekutiv të programit tim “Jeta në Kosovë” duke publikuar një foto ku Faiku ishte në panel me Vuçiqin dhe Ramën në forumin e Vjenës së organizuar së voni kështu që Faiku bëri foto me Vuciq dhe Ramën dhe i publikoi në Facebook-un e tij. Më 27 gusht, gazeta Express, që është baras me “Informer” dhe “E-novine” të Vuçiqit në Serbi, e mori këtë foto dhe e publikoi në një artikull që thoshte që kjo është një provë se çka kemi dyshuar gjithmonë… që ai punon për Shërbimet Sekrete të Serbisë, ai historikisht ka punuar me gazetarë serbë, që qendra e BIRN-it është në Beograd – pa marrë parasysh faktin që baza jonë është në Sarajevë – [ata shkruan] që stafi ynë në Kosovë është aq i lidhur me Serbinë, saqë paguhemi në dinarë”, ka theksuar Xharra.

Leave a Reply

Your email address will not be published.