Në ndërtesën e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës është mbajtur takimi i parë i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, në të cilën janë diskutuar shumë çështje dhe tema të rëndësishme për funksionimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë takimit të përbashkët të dy qeverive është diskutuar rreth përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik, çështjet e luftës dhe pasluftës që rëndojnë të dyja vendet. Me këtë rast është nënshkruar protokolli për bashkëpunimin në kërkim për të pagjeturit, memorandum mirëkuptimi në fushën e telekomunikacionit, protokoll bashkëpunimi për ruajtjen e urës Mehmet Pasha Sokoloviç në Vishegrad dhe marrëveshja në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve dhe protokolleve, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH-së, Denis Zvizdiç dhe kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media. Ata theksuan se seanca e sotme e përbashkët e Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe të Qeverisë së Serbisë ka kaluar në frymën e dialogut, konsultimit, mirëkuptimit të ndërsjellë si dhe bashkëpunimit dhe se do të sjellë rezultate konkrete.
– Zvizdiç: Kemi zgjedhur dialogun, mirëkuptimin dhe respektin reciprok
Në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH-së, Denis Zvizdiç, ka thënë se takimi kaloi, para së gjithash, në definimin e marrëdhënieve të ardhshme ekonomike ndërmjet dy vendeve, por edhe të bashkëpunimit të mëtejshëm në fushat e tjera si kultura dhe sporti.
“Seanca e përbashkët kaloi me diskutime konstruktive dhe rezultoi me një numër të madh të konkluzioneve. Ne mbetemi mbështetësit e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore të tilla si hekurudha ndërmjet Beogradit dhe Sarajevës”, ka thënë Zvizdiç, dhe kujtoi se BeH-ja dhe Serbia njëra për tjetrën paraqesin një nga partnerët më të rëndësishëm të tregtisë së jashtme.
Ai vuri në dukje se seanca e sotme e përbashkët të Këshillit të Ministrit të BeH-së dhe Qeverisë së Serbisë është e rëndësishme edhe në kontekstin e bashkëpunimit rajonal.
“Simbolika e këtij takimi është edhe në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në një kohë kur ekzistojnë frika të caktuara në Evropë në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë me Ballkanin Perëndimor. Kjo tregon se dialogun e brendshëm dhe gatishmërinë e kemi vendosur para çfarëdo tendence dhe çfarëdo problemi që mund të paraqitet në rajon“, ka thënë Zvizdiç, raporton agjencia Anadolu.
– Vuçiç: Serbia nuk e ka ndërmend ta sulmojë askënd
Kryeministri i Republikës së Serbisë në fjalimin e tij gjatë konferencës së përbashkët me Zvizdiç-in, tha se zakonisht seanca të përbashkëta sjellin rezultate pas disa takimeve, por se kjo sot ishte e rëndësishme në disa aspekte.
Ai tha se aspekti i parë është politik dhe se pas 25 viteve nga kofliktet e para në territorin e ish-Jugosllavisë sot së bashku mbahen seanca të përbashkëta të organeve ekzekutive.
Kryeministri serb përsëriti se njerëzit në këto dy vende dëshirojnë të mendojnë për fëmijët dhe të ardhmen, dhe se do të ishte një katastrofë nëse do të mendonin për konfliktet.
Vuçiç përsëriti gjithashtu se tregtia e jashtme ndërmjet këtyre dy vende është duke u rritur në mënyrë konstante, se “eksporti nga BeH-ja në Serbi çdo vit rritet për 40 milionë dhe se mallrat nga BeH-ja janë gjithmonë të mirëseardhura në Serbi”.
“BeH-ja është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm, një nga tre. Vështirë se mund të gjejmë partner më të rëndësishëm në rajon. Nuk kërkojmë nga BeH-ja të jemi partneri më i rëndësishëm i tyre, por do të luftojmë për afeksionin e njerëzve në BeH, të jemi partneri i parë tregtar i BeH për 4 apo 5 vite”, ka thënë Vuçiç.
Vuçiç tha se Serbia dhe BeH-ja janë motor zhvillimi, jo vetëm të kësaj pjese të Ballkanit.
“Nëse e ruajmë stabilitetin, që është çelësi për çdo gjë, atëherë kjo pjesë e Evropës do të jetë motor zhvillimi i Evropës së ardhshme”, theksoi Vuçiç.
Ai tha se Serbia avokon politikën e respektimit të integritetit territorital dhe sovranitetit të BeH-së, se do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie të mira në BeH, dhe se marrëdhëniet e mira ndërmjet serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve janë kyçe për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
Duke krahasuar situatën me shqiptarët ai tha se “është mirë që serbët dhe shqiptarët jetojnë njëri pranë tjetrit, por se janë shoqëri të ndryshme”.
“Ne dhe boshnjakët jemi aq të ngjashëm. Na ndanë vetëm religjioni, dhe prandaj këto marrëdhënie janë të rëndësishme për ne. Dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhënie të mira dhe të shikojmë drejt së ardhmës. Të kemi marrëdhënie më të mira sepse këtë e duam ne, dhe jo të tjerët”, ka thënë Vuçiç.
Duke folur për prokurimin e armëve Vuçiç tha se “nuk na bie ndërmend ta sulmojmë dikënd, por vetëm të mbrojmë qytetarët e Serbisë”.
Anëtarët e qeverisë serbe mbrëmë mbërritën në Sarajevë, ku në aeroportin ndërkombëtar të Sarajevës u pritën nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave dhe Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike, Mirko Sharoviç.
Pranë hotelit ku janë vendosur delegacioni serb, si edhe në të gjitha rrugët kryesore të Sarajevës natën e kaluar dhe në orët e hershme të mëngjesit është vërejtur prani e shtuar e policisë.