Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësime për disa veprime të cilat i ndërmerr KEDS-i, lidhur me tarifat dimërore për kompanitë prodhuese dhe veprime tjera, duke thënë se KEDS-i është kompani private e cila pa investime vetanake po e rritë kapitalin e vet.
Sipas OEK-ut, një gjë e tillë paraqet ngarkesë të rëndë për prodhuesit vendor dhe rëndon pozitën edhe ashtu të pavolitshme të tyre.
OEK thotë se ka edhe disa nga veprimet tjera të cilat shkaktojnë shqetësimin e komunitetit të biznesit.
“Ne konsiderojmë se KEDS me prioritet duhet të merret me çështjet e maksografëve pasi që konsiderojmë se ajo është mënyrë e dëmtimit flagrant dhe të panevojshëm të konsumatorëve nga bizneset vendore dhe në këtë drejtim angazhohemi për aplikimin e praktikave më të mira evropiane. Është e pa pranueshme kërkesa që me ndryshimin e rregulloreve të kërkohet që pajisjet e trafove të cilat më herët janë pranuar nga KEK-u, gjegjësisht Distribucioni i KEK-ut të ndërrohen në tërësi, pasi që pajisjet aktuale i plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme tekniko teknologjike dhe ligjore. Gjithashtu, OEK angazhohet kundër tarifave shumë të larta për pranimin e fuqisë hargjuese të pajisjeve në kompanitë prodhueseve dhe shërbyese. Përfaqësuesit e kompanive vendore akuzojnë KEDS-in se po manipulon me deklarata se kinse KEK-u ka kërkuar që asetet private të bartën në pronësi të KEDS-it. Për komunitetit i biznesit është e papranueshme që asetet me forcë më të madhe se 10 KË, të cilat i blejnë dhe sigurojnë kompanitë të bartën në pronë të KEDS-it, posaçërisht duke pas parasysh se në krahasim me KEK-un si kompani në pronësi të vendit, KEDS-i është kompani private e cila në këtë mënyrë, pa investime vetanake po e rritë kapitalin e vet”, thuhet në reagimin e OEK-ut.
Komuniteti i biznesit ditëve në vijim këto dhe kërkesat tjera do t’i parashtron para institucioneve relevante të Republikës së Kosovës dhe do të kërkon respektimin e dispozitave ligjore dhe marrëveshjes së privatizimit të KEDS-it dhe do të angazhohet fuqishëm në parandalimin e keqpërdorimit nga ana e KEDS-it.