Nga Ballsor Hoxha
Nuk ka pasur ditë më të shtirur se dita kur kam dëgjuar që ka bërë vetëvrasje Emin Rexhepi. Vetëvrasja e tij ka qenë si të na kish kapur në blic të gjithë ne vdekatarëve në jetët tona të shtirura, të shpifura dhe të improvizuara. Emin Rexhepi e ka ndjerë thellë, deri në vetëvrasje, jetën zibidi prishtinase dhe kosovare. Në anën tjetër Prishtina dhe Kosova kurrë nuk kanë pasur një grimë mirëkuptim dhe prehje për njerëz si Emini, njerëz jashtë, përtej dhe mbi atë që ne vdekatarët e quajmë jetë, njerëz që e kanë flijuar realitetin tonë zbimi për një njohje më të thellë, më fisnike dhe më të vërtetë. Të shtirur jemi, jo pse nuk kemi bërë vetëvrasje edhe ne, por pikërisht sepse kemi lënë që të vdes një njeri si Emin Rexhepi dhe si Arlind Boshnjaku.
Sa herë e kam takuar Emin Rexhepin e kam ditur ku dhe kur do të ketë koncert gjithkah nëpër Ballkan. E kam ditur kur dhe ku do të mund të takohemi prapë me atë, pra në këto koncerte. Sa herë kam pasur një zbulim kinematografik të ndonjë filmi të ri apo edhe të vjetër, Emini e ka ditur edhe inspirimin prej nga ka ardhur ai film dhe si ka rrjedhë historia e atij filmi. Pa Eminin nuk ka pasur sharm as Kurrizi, as Santea, as partyt e pas luftës në Kosovë. Herën e fundit kur e kam takuar ka qenë duke e eksploruar filmin horror të Japonisë dhe muzikën rok të viteve shtatëdhjetë në Iran. Bile ka qenë i preokupuar me bashkdyzimin e imagjinatës së frikshme shqiptare me këtë kinematografi japoneze. Me uniken dhe origjinalen në shpirtin tonë dhe atë japonez.
Të takoje Arlind Boshnjakun rrugëve të Prishtinës ka qenë si të takoje një dishepull të profetëve. Të bindur, të mishëruar dhe të flijuar në bindjet dhe besimin e tij. Të takoje Arlindin rrugëve të Prishtinës ka qenë si të kapatapultoheshe në një qytet tjetër, apo pikërisht në një kohë tjetër, atëherë kur e brendshmja ka pasur respektin e të shenjtës dhe të preokupimit njerëzor. Ka qenë dishepull i mishëruar në besimin e tij. Qoftë edhe kur kishte kaluar në përkthimin e filozofisë së Sllavoj Zhizhekut, ka pasur mishërimin e duhur për të jetuar me atë që bënte dhe atë që e donte.
Ka pasur dhe ka dhunim të fjalës – avantgard – që prej fillimit të përdorimit të saj e deri sot dhe qoftë edhe këtu në Kosovë. Avantgardë është përkthyer në shqip me fjalën pararojë, dhe unë mendoj se megjithëse literalisht përkthimi është i drejtë, ai në të vërtetë është gabim. Nuk kemi të bëjmë me rojë, dhe ruajtje këtu, kemi të bëjmë me përballje dhe me përvojë të para, para së gjithash dhe para të gjithëve. Avantgardë është personi i cili arrin i pari të prek shtjellën dhe zonën e re të krijuar nga zeitgeist (shpirti i kohës aktuale) dhe i cili a qarkullon tutje atë për ne vdekatarët.
Brenda një muaji dy persona të të njëjtit vit të lindjes, të të njëjtit qytet, kanë bërër vetëvrasje. Por është diçka tjetër që dua të theksoj dhe që është po aq e rëndësishme si këto ngjashmëri të këtyre dy personave, gjë që i bashkon këta dy persona, Emin Rexhepin dhe Arlind Boshnjakun,dhe ajo është preokupimi i tyre avantgard me shtjellat e vetëdijes globale. Arlindi ka qenë njeri i cili prej të parëve në gjeneratë që ka dëgjuar, shtjelluar dhe interpretuar dijet botërore. Ka qenë për një kohë të gjatë i dhënë pas religjionit, apo thënë më saktësisht, pas besimit, por në mënyrën më të vetëdijshme që ka njohur Kosova. Dhe së voni ka qenë një prej përkthyesve më të pasionuar, por edhe interpretues, i punimeve dhe filozofisë së Sllavoj Zhizhek. Në anën tjetër Emin Rexhepi, prej vegjëlisë e deri në momentin e fundit të jetës së tij ka qenë: burimi, streha dhe dija më e avancuar e kulturës globale, posaçërisht në film dhe në muzikë, dhe në Kosovë. Emini ka qenë vetë DJ, muzicient (ka pasur bendin e tij Creme De La Creme) dhe kohët e fundit mendonte të kalonte në regjisor të filmit.
Nuk është me rëndësi sa kanë qenë të informuar, të vetëdijshëm dhe të njohur për këtë në Prishtinë, këto dy legjenda urbane, sa është me rëndësi mënyra e jetës së tyre. Flijimi i tyre dhe preokupimi i tyre në atë që u ka interesuar. Mishërimi i tyre i pashembullt në fushat e tyre të interesimit, dhe kalimi në legjenda urbane pikërisht për këtë mënyrë të jetës së tyre. Kalimi i tyre në guru të fushave të tyre të dijes dhe në të preokupuar deri në palcë me atë që e kanë dashur. Në qarkullimin e njohjes së tyre brenda mizorisë së Prishtinës dhe aq më shumë të mbjelljes së dijes për dhe në fushat e interesit të tyre.
Kanë qenë në mënyrë të përhershme të ndeshur me murin e injorancës së Prishtinës dhe të Kosovës, gjithmonë të pakuptuar, pikërisht për të shëndetshmen brenda tyre, pikërisht për ndjekjen e interesimit (ëndrrës) së tyre me aq bindje dhe me aq dashuri.
Dhe nuk është e çuditshme se pikërisht pas vdekjes së tyre, për ta fliten gjërat më të pakuptimta që mund të dëgjoj njeriu. Pikërisht pas vdekjes së tyre qarkullon dhe ka shpërthyer injoranca dhe imagjinata e ligë e Prishtinës rreth tyre.
Çka nëse Emini ka qenë besimtar i obsesionuar dhe Arlindi “drogirash”?Apo e kundërta? A ja vlen të përkujtojmë atë që kanë bërë në intimitetin e tyre më të thellë? Apo ndoshta duhet të përkujtojmë atë që kanë mbjellë këta të dy. Atë që kanë bërë për çdo ditë në dyzet vitet e jetës së tyre për të komunikuar dijet e tyre. Për t’i bërë vend njohjes së re dhe të përvuajtur të injorancës prishtinase. Asnjëra nuk janë të vërteta, nga ato që fliten në rrugët mizore të Prishinës. Emini ka qenë baba, bashkëshort dhe punëtor perfekt dhe i dhënë tërësisht pas shpërthimit të dijes prishtinase jashtë kësaj zone mizore të vetë asaj, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Arlindi ka qenë njeriu më i matur, më i pjekur dhe më i obsesionuar për të ndërlidhur këtë kolektiv injorantësh me përvojën globale, si në besim dhe si në filozofi, dhe asgjë tjetër nuk ka rëndësi.
Prishtina e pavetëdijshme për humbjen e saj vazhdon të mbrohet nga inspirimi, motivimi, dashuria për jetën në tërë shumëllojshmërinë e aj. Prishtina vazhdon të mbetet një kolektiv të përvuajturish që nuk guxojnë të dëgjojnë një dua pa qenë ajo e pranuar nga hoxha dhe “gjithë” të tjerët. Prishtina vazhdon të mbetet një kolektiv dështakësh që pikërisht zemërimin e tyre më të madh e kanë me njerëz si Emini që kanë shpërthyer dhe kanë luftuar tërë jetët e tyre ndaj injorancës. Prishtina vazhdon të mbrujë kopjues dhe të depersonalizuar, shumë më të këqij se “drogirashat” dhe “besimtarët” avangardë. Jam i sigurt që shumica e atyre që e dëgjojnë fjalën avantgard, e marrin për çdo gjë tjetër përpos si përpjekja më fisnike për të bluar brenda kolektivit tonë të renë, të bukurën, fisniken.
Prishtina është një fshat heronjsh, dhe politikanësh që vjedhin nga ne çdo gjë, që na e shndërrojnë çdo gjë, që na e djegin çdo gjë në emër të zhvillimit. Prishtina është vend që nuk e duron të renë, derisa ajo nuk dhunohet, fëlliqet dhe kastrohet nga heronjtë tanë në miliona versione të budallicave që nuk dinë kush është as Emini dhe as Arlindi e jetojnë në Prishtinë. Prishtina është vend që nuk e duron shenjtërinë e arritur nga durimi i Arlindit, sepse ia kujton varfërinë e jetës së saj, ia kujton mungesën e një shpirti, mungesën e një vetëdije për të jetuar.
Shumë e çuditshme, vetëm disa muaj pasi që vdiqën tre akademikë të gjeneratës së “artë” të Kosovës, filluan vetëvrasjet e legjendave urbane të Prishtinës. Sigurisht nuk kanë faj ata, as ne, askush nuk ka faj, vetëm se legjendat tona urbane po pakësohen furishëm. Mirëpo ndoshta preokupimi i këtyre dy legjendave urbane si Arlindi dhe Emini, ka qenë qetësisht dhe rrënjësisht i mohuar nga këta akademik. Ndoshta mohimi i tyre i flijimit të Eminit dhe të Arlindit për një jetë ndryshe, avangarde dhe fisnike në mënyra të reja, ka qenë frika e këtyre akademikëve tanë të gjallë, sepse pikërisht ajo zbulon varfërinë, injorancën, dhe prapambetjen e tyre prapa librave dhe para një populli të izoluar.
Avantgarda e Arlindit dhe e Eminit është arritje shumë më e madhe dhe më me sakrificë se e të gjithë akademikëve tanë. Dhe atë pikërisht sepse ka qenë flijim dhe mishërim i vetes së tyre për atë që kanë dashur dhe besuar. Derisa akademikët tanë kanë bërë të kundërtën: kanë flijuar një popull të tërë për madhështinë e tyre.