Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pse e përbëjnë koalicionin qeverisës nuk janë në një vijë sa i përket mundësisë së ridizajnimit të koalicionit.
Përderisa për PDK-në, është e pamundur që Isa Mustafa të lë postin e kryeministrit dhe të zgjidhet president ndërsa Thaçi të rikthehet kryeministër, një gjë e tillë vlerësohet si e mundshme në partinë, e cila po udhëheq me Qeverinë, LDK-në.
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, për Gazetën Tribuna ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodh.
“Ne kemi koalicionin dhe marrëveshja vazhdon. Njerëz që shpikin gjëra të tilla nuk kanë me çfarë të merren tjetër”, ka thënë Musmurati.
E në anën tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, nuk e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë qe gjithçka është e mundur.
“Gjithçka është e mundur, mirëpo nuk dua të komentoj për këtë çështje”, ka thënë Rugova për Gazetën Tribuna.
Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga i skadon mandati pesëvjeçar në prill të vitit 2016. Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa pati deklaruar se LDK do t’i përmbahet marrëveshjes për koalicionin qeverisës, duke thënë kështu se Hashim Thaçi do të jetë president në vitin 2016.