Të premten që lamë pas, Kuvendi e ka përfunduar seancën e tretë që u mbajt pa vezë, shishe uji e gaz lotsjellës, dy nga të cilat ishin solemne, e tjetra për ratifikim të MSA-së.
Por, partitë opozitare paralajmërojnë se me metodat e njëjta do të vazhdojnë kur në Kuvend do të ketë pika të zakonshme të rendit të ditës. Madje opozita nuk e ka në plan që të lejojë seancë normale Kuvendi as në ditën kur para ligjvënësve do të jetë projektligji për Buxhetin e Republikës, raporton KTV.
Bilall Sherifi, që ka folur në emër të opozitës së bashkuar, ka thënë se është në dorën e pushtetit që të vendosë nëse më të rëndësishme janë marrëveshjet apo buxheti.
Por, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se buxheti do të kalojë dhe nuk do të lejojnë të bllokohet shteti.
Edhe njohës të zhvillimeve në vend ia tërheqin vërejtjen opozitës se duke e penguar seancën dhe miratimin e Buxhetit, nga i cili varet shumica e familjeve kosovare, do të ishte autogol për ta.
Ndërsa Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike u ka bërë edhe njëherë thirrje të dyja palëve që t’i kthehen debatit dhe të mos prodhojnë më shumë krizë në vend. Thotë se pa funksionimin e Kuvendit, vazhdon edhe papërgjegjshmëria e Qeverisë, transmeton Koha.net.
Ndryshe, të martën që vjen pritet një takim tjetër i kryesisë së Kuvendit për të vendosur për seancën e radhës. Seanca e 23 tetorit që përfundoi në orët e para të 24 tetorit, ishte përcjellë me dhunë e gaz lotsjellës brenda sallës plenarë gjë që e detyroi pushtetin të tërhiqen në sallë tjetër alternative për t’i përfunduar pikat e rendit të ditës.