Lajmet e fundit

Ekspozohet fotografia e takimit të Sali Berishës me Ramiz Alinë

Ekspozita “Thirrja për liri” është çelur në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Fotografitë e përzgjedhura në këtë ekspozitë, në diçiturat përkatëse kanë edhe datat e ngjarjeve. “Duke hyrë në Ambasadën e Gjermanisë Perëndimore”, 2 korrik 1990, “Gjatë takimit me studentët, Presidenti Ramiz Alia dhe ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi”, 11 dhjetor, 1990 etj., janë vetëm dy nga fotografitë që pasojnë një fotografi në të cilën ndodhet Ramiz Alia dhe Sali Berisha: “Presidenti Ramiz Alia në takim me dr. Berishën mbi situatën në Qytetin Studenti”, pa shënuar as datën dhe as vitin. Një dilemë e kahershme ekziston rreth takimeve që kanë bërë Alia me Berishën, por, ndonëse ekspozohet për herë të parë kjo foto, në të cilën janë të dy, dilema se kur janë takuar vazhdon të mbetet ende.

Fotografitë e ekspozuara edhe pse kësaj here të ekspozuara nga një fondacion privat janë realizuar nga Gani Xhengo, fotografi që ka fiksuar në aparatin e tij, ngjarjet kryesore në Shqipërinë e viteve ’90. “Shekulli” kontaktoi edhe vetë fotografin, Gani Xhengo, për një përcaktim të saktë të datës së këtij takimi, por as ai nuk e mbante mend. Sipas tij, kjo datë duhet përcaktuar nga historianët. Por sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, mbi takimin që ka pasur Ramiz Alia me Sali Berishën është shprehur se: “Ramizi, pasi mësoi se greva e studentëve drejtohej nga tropojanë të Qytetit Studenti, i kërkoi Xhelil Gjonit që të gjente njerëz të partisë nga Tropoja që të shkonin dhe të flisnin me ta.

Të vendosej një urë komunikimi me njerëz të të njëjtit rreth, ku mund të gjendeshin lidhje farefisnore. Ramizi donte me çdo kusht që të shmangte një përplasje të dhunshme të studentëve me policinë dhe ushtrinë, donte të shmangte një përplasje civile. Xhelili e gjeti Saliun dhe i kërkoi që me porosi të Ramiz Alisë të shkonte dhe të bisedonte me studentët e grevës së urisë. Pasi kishte marrë përsipër ndërmjetësimin me studentët, Ramizi i tha Xhelil Gjonit që t’ia çonte Saliun në shtëpi që ta takonte. Dhe ashtu u bë, Xhelili e çoi Saliun te shtëpia e Ramizit dhe kanë folur bashkë. Por Ramizi më ka thënë se: “Këta tropojanët janë hileqarë, gënjejnë dhe luajnë me dy porta!”.

Sipas sekretarit të Ramiz Alisë, pavarësisht kërkesës së Ramizit për të takuar studentët, Saliu nuk ka dashur që ai t’i takonte ata, por t’ia besonte atij këtë komunikim, duke dhënë garanci se gjërat do të qetësoheshin. “Këtu, Ramizi dyshoi te sinqeriteti i Berishës se kërkonte ta kthente këtë situatë në favorin e tij personal. Por Ramizi këmbënguli për një takim me studentët dhe shkoi vetë në Qytetin Studenti për të folur me ta, ku u kërkoi që të ndërprisnin grevën dhe të riktheheshin në mësim. Ndërkohë qeveria do të merrte të gjitha masat për plotësimin e kërkesave të tyre ekomomike. Në atë takim Saliu ka shprehur konsiderata të larta për presidentin Ramiz Alia”. Ndërsa për takime të tjera mes Ramizit dhe Berishës, sekretari shprehet se, ndoshta mund të ketë pasur, por nga goja e Ramizit për Saliun, ai ka dëgjuar fjalën: “Është hileqar, nuk është i sinqertë!”.

Ekspozita

“Fillimi i fundit” është një nga kapitujt e ekspozitës “Thirrja për liri!”. Pas ngjarjeve në Evropën Lindore në vitin 1989, edhe në Shqipëri filloi të ngjallet shpresa për ndryshim rrënjësor të sistemit. Shumë të rinj tentuan të largohen nga vendi nëpërmjet kufirit tokësor, por u gjendën nën breshëritë e armëve të rojeve kufitare. Ndërkohë që në qytetet e mëdha kishte nisur të ndjehej era e ndryshimit, me protesta të shumta në të gjithë vendin, në disa pika kufitare dhjetëra të rinj u vranë gjatë muajve maj-dhjetor të vitit 1990. Më 2 korrik të vitit 1990, mijëra shqiptarë u futën në ambasadat e disa vendeve perëndimorë në Tiranë.

Regjimi nuk mundi të ndalonte këtë shprehje të hapur të revoltës. Pas kësaj ngjarjeje u gjallëruan dhe filluan të shfaqin hapur urrejtjen ndaj sistemit totalitar. Pritej vetëm momenti final. Në dhjetor të vitit 1990 filloi greva dhe protestat e studentëve të Universitetit të Tiranës, të cilat u mbështetën gjerësisht nga popullata e Tiranës, Kavajës, Shkodrës dhe shumë qytete të tjera të vendit. Kërkesat e studentëve ishin fillimisht ekonomike dhe më pas u transformuan në kërkesa të qarta për pluralizmin politik, lirinë e shtypit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirimin e të burgosurve politikë. Më 12 dhjetor, si rezultat i protestave u krijua e para parti politike jokomuniste, Partia Demokratike. Pas këtyre ngjarjeve, regjimi u detyrua që të tërhiqej, brenda pak ditësh në Shqipëri u lejua pluralizmi politik dhe filluan që të lirohen të burgosurit politikë nga burgjet e egra komuniste.

Leave a Reply

Your email address will not be published.