Lajmet e fundit

Kroaci: Opozita kryeson në zgjedhjet parlamentare

Opozita konservatore është pozicionuar përpara koalicionit të së majtës në pushtet, në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Kroaci, por me numër votash të pamjaftueshme për krijimin e qeverisë.

Këto janë zgjedhjet e para që prej anëtarësimit të ish-republikës jugosllave në Bashkimin Evropian, në vitin 2013, në sfondin e krizës së migrantëve që e kanë kthyer këtë shtet në vend tranziti në Ballkan drejt Evropës Perëndimore si edhe të recesionit ekonomik.

Koalicioni konservator i kryesuar nga Tomislav Karamarko, lideri i partisë kryesore të opozitës (HDZ), ka marrë 59 vende në parlamentin që numëron 151 deputetë, referuar rezultateve të nxjerra nga procesi i numërimit të rreth 70 për qind të votave në 6 500 qendra votimi.

Aleanca e majtë “Kroacia rritet”, e drejtuar nga Partia Socialdemokrate (SDP) e kryeministrit në detyrë Zoran Milanoviç, ka marrë 55 vende ndërsa në vendin e tretë është renditur grupimi Most me 19 vende.

Katër grupime të tjera do të ndajnë 10 vende ndërsa tetë vendet e mbetura janë të rezervuara për minoritetet kombëtare. /AFP/

Leave a Reply

Your email address will not be published.