Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi ka thënë se me MSA-në prodhimet tona bujqësore do të eksportohen tashmë në një treg 500 – milionësh.
“Ka prodhime nga Kosova që janë të pranishme në tregun evropian, por me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim prodhuesit dhe përpunuesit tanë do të kenë mundësi të reja që produktet e tyre t’i shesin në tregjet e Bashkimit Evropian, duke përfituar nga lehtësirat doganore dhe masat e tjera preferenciale”, është shprehur ai.
Në një intervistë për “Epoka e Re”, Krasniqi ka bërë me dije se mbi 2 mijë e 500 produkteve bujqësore do t’u hiqet tarifa doganore, duke bërë kështu që të rriten edhe investimet e huaja në bujqësi.
I pyetur nëse prodhon Kosova produkte të cilat i plotësojnë të gjitha kushtet e BE-së, ai është përgjigjur se ka produkte të cilat i përmbushin standardet evropiane të cilësisë, por ka ende punë në këtë drejtim, në mënyrë që të gjithë prodhuesit të arrijnë cilësinë që kërkohet në tregun evropian.
Ndërsa, për produktet që kanë përparësi krahasuese në tregun evropian, Krasniqi ka deklaruar se mjedrat, dredhëzat, patatet, produktet e përpunuara nga pemët dhe perimet, verërat etj., janë produktet potenciale të eksportit.
“Këto produkte, por edhe të tjera, që po tregojnë rritje të vazhdueshme të prodhimit dhe cilësisë, janë ato që do të mund të gjejnë treg të mirë në Evropë”, është shprehur ai.