“Sllovakia ka votuar kundër kërkesës së Kosovës për t’iu bashkuar Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, për shkak se Prishtina dhe Beogradi duhet të bien dakord për propozime të tilla me marrëveshje të përbashkëta”.
Kjo është deklarata e Ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, të cilën e ka dhënë menjëherë pas përfundimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, ku kërkesa e Prishtinës zyrtare për tu bërë anëtare e kësaj organizate nuk e mori miratimin numrit të shteteve që ishte i nevojshëm.
Lajcak po ashtu ka shtuar se “Prishtina dhe Beogradi duhet të sillen sikurse kanë bërë dikur Republika Çeke dhe Sllovakia”.
“Duam që partnerët tanë këtë vendim të Sllovakisë ta shohin si një mesazh se komuniteti ndërkombëtar pret që propozime të tilla të bëhen në baza të marrëveshjeve të përbashkëta dhe me konsensus, sikurse kishin bërë dikur Sllovakia dhe Republika Çeke”, ka thënë Lajcak, shkruan portali i lajmeve B92, transmeton Klan Kosova.
Ministri sllovak ka theksuar po ashtu se “çështjet e komplikuara dhe sensitive, duhet të adresohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Beogradit dhe Prishtinës”.
“Interesi jonë është që ky dialog të forcohet. Njëra ndër arsyet se pse ne morëm qëndrim negativ është se kjo çështje asnjëherë s’ka qenë pjesë e dialogut dhe ne ishim të shqetësuar se një vendim pro do ta përkeqësonte këtë proces bisedimi”, është shprehur Lajcak.
Fakti që Sllovakia ishte një mesin e shteteve që votuan kundër Kosovës në UNESCO, sipas Lajcak, është në linjë me pozitën e Sllovakisë karshi pavarësisë së Kosovës, mirëpo s’është armiqësore për kosovarët.