Kandidatja për kryetare të Istogut, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi e ka përmbyllur fushatën elektorale në Istog.
Para mijëra e mijëra qytetarëve të pranishëm në Istog, Kadaj-Bujupi mori besimin e fundit nga qytetarët istogas. Shtëpia e Kulturës në Istog ishte adresa e fundit e qytetarëve të Istogut të cilët në numër rekord deri më tani i dhanë mbështetjen e madhe Kadaj-Bujupi në rrugën drejt fitores në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Për të nderuar këtë tubim elektoral ishte i pranishëm edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Donika Kadaj-Bujupi iu tha të pranishmëve se iu është borxh që vetëm me punë të kthej në vepër besimin e dhënë në zgjedhjet lokale.
”Ky numër kaq i madh i juaj tregon se në Istog ka ardhur koha për ndryshime dhe se ndryshimet do ti bëjmë së bashku. Në 9 muajt e fundit unë isha prezente në shtëpitë e juaja, ju mi hapët dyert për të dëgjuar hallet e juaja. Në 9 muajt e fundit ju besuat në programin tonë të cilin e shpalosa me ju dhe para jush. Unë besimin e dhënë në 4 vjeçarin e ardhshëm do ta kthejë në punë, Istogun së bashku do ta kthejmë në hartë dhe jeta juaj do të jetë shumë më e mirë. Në vitin e parë të qeverisjes tonë ne do të ndërtojmë memorialin për presidentin e ndjerë “Dr. Ibrahim Rugova”, tha Kadaj-Bujupi.
“Në mandatin tim si kryetare e e ardhshme e Istogut, problemet me ujë, kanalizime, infrsatrukturë nuk do të jenë më të pranishme për qytetarët istogas. Plani im i punës ka për qëllim që për secilën familje në Istog të krijoj së paku nga një vend pune. Unë jam borxh që këtë besim që e treguat sot me pjesëmarrjen tuaj, dhe do të tregoni me datë 3 nëntor, ta kthej në punë e realitet për ju”, tha Donika Kadaj-Bujupi.
Mbështetje të madhe për kandidaten nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për kryetare të Istogut, e dha edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
”Donika gjithmonë ka qenë me ju dhe hallet e juaja. Puna, njohuria dhe përvoja e saj do të rikthejnë dinjitetin e qytetarit istogas. Unë jam këtu për të dhënë garancën se premtimet dhe planet e Donika Kadaj-Bujupi do të bëhen realitet me votën e juaj. Prezenca juaj është hapi i fundit që qeverisja e keqe në Istog të marrë fund, dhe në Istog pas 3 nëntorit të filloj një etapë e re, e cila do të jetë e suksesshme për ju”, tha para të pranishmëve, Ramush Haradinaj.