Në intervistën me Shkodran Gajrakun, deputeti i VV-së ka thënë se në raport marrëveshjet me Serbinë nuk ka kompromis sepse ato e dobësojnë Kosovën si shtet duke e futur Serbinë brenda.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli në Ballë për Ballë në Klan Kosova, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjet me Serbinë është i diskutueshëm sepse i tillë është edhe kredibiliteti i saj, njofton Klan Kosova.
“Kjo është Gjykatë e kapur nga politika, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta shqyrtuar kërkesën e kryetares së vendit është veprim normal”.
Topalli marrëveshjet i ka quajtur gërryese të bazave të shtetit të Kosovës, ndërsa adresimin e çështjes në Kushtetuese e ka konsideruar fitore të opozitës.
“Marrëveshja me Serbinë prishë fondamentet e kushtetutës së vendit. Vetë adresimi i kësaj çështje tek Gjykata Kushtetueses është një fitore e Opozitës”.
“Opozita me bllokadën në Kuvend, me peticionin e nënshkruar nga 205 mijë qytetarë duhej të ishte e mjaftueshme që qeveria të reflektojë”.
Ai ka thënë se do të ishte mirë që këto marrëveshje të rrëzoheshin, por dërgimin e tyre në Kushtetuese më shumë se gjithçka tjetër e sheh si manovër të pozitës për të fituar kohë.
“Ne do të donim shumë që Gjykata Kushtetuese do t’i rrëzoj këto marrëveshje, por nga përvoja që kemi mund të themi se kjo gjykatë është e kapur nga politika është e njëjta gjykatë që jashtëligjshëm e risolli PDK-në në pushtet”.
“Tashmë e kemi përsëritur, që Opozita është e gatshme të kthehet në Kuvend të vazhdojë punën normale në Kuvend dhe është e interesuar që Kuvendi ta kryejë punën siç duhet”.
“Ajo çfarë kërkojmë si Opozitë dhe Vetëvendosje është që kryeministri i Kosovës të dalë më një deklaratë së i tërheq nënshkrimet”.
“Marrëveshja nuk është pezulluar, kjo është një manovër e Qeverisë që të shtyhen këto marrëveshje deri në janar që të kalon buxheti. Ne do të vazhdojmë që ta pengojmë punën e Qeverisë, respektivisht ta pengojmë implementimin e këtyre marrëveshjeve”.
“Kjo është një fitore e pjesshme pasi kemi arritur që edhe brenda jashtë vendit edhe brenda të tregojmë vendosmërinë kundër këtyre marrëveshjeve”.
“Nuk i përgjigjemi ftesës së kryetarit të Kuvendit, pasi konsiderojmë që kjo ftesë është qëllim keqe që synim ka implementimin e marrëveshjeve të Brukselit. Në raportin e progresit nuk ka shumë gjëra të reja”.