Lajmet e fundit
Çeku: Turizmin do ta zhvillojmë dhe promovojmë

Çeku: Turizmin do ta zhvillojmë dhe promovojmë

Çdonjëri prej nesh, shumë herë deri më tash, ka mbetur i mahnitur me bukuritë e çmueshme natyrore të vendit tonë. Ato i shohim shpeshherë të pasqyruara nëpër libra të gjeografisë dhe na krijojnë përshtypjen se janë shumë larg nesh dhe nuk mund t’i prekim. Të tilla bukuri natyrore kemi edhe në komunën e Prishtinës, shumë afër nesh, por shumica nuk e dinë ku janë për shkak të mospromovimit të turizmit dhe mungesës së informacioneve. Kështu u shpreh kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, gjatë shpalosjes së programit të tij për turizmin.

Ai tha se në qeverisjen e tij, bukurinë mahnitëse nuk do të kërkohen diku tjetër, por në Prishtinë dhe do të promovohen, sepse duke i kërkuar nëpër vende të tjera, nuk po arrijmë t’i zbulojmë bukuritë e kryeqytetit tonë.

Çeku tha se turizmin, gastronominë dhe hotelierinë do ta ketë prioritet dhe për të fuqizuar këtë segment shumë të rëndësishëm për ngritjen e standardit jetësor në zonat rurale, ai tha se do të krijojë edhe departamentin e turizmit në komunë, i cili do të hartojë politika bashkëkohore për zhvillimin e turizmit në Prishtinë.

“Programi ynë është i ndarë në tri shtylla, në shërbim, zhvillim dhe promovim. Ai parasheh që Prishtinën ta bëjë një qendër turistike, e cila do të tërheq turistë nga rajoni dhe bota. Por, para se të ndodhë kjo, duhet të ofrojmë kushte. Ne planifikojmë që të bashkëpunojmë ngushtë me rreth 1000 biznese hoteliere që ndodhen në Prishtinë, duke e hapur edhe një departament për këtë fushë në komunë”, tha Çeku.

Turizmi është fytyra përfaqësuese e një vendi dhe kjo fytyrë, sipas Çekut, në qeverisjen e tij do t’i ndryshohet edhe Prishtinës. Sipas tij, rëndësi e veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së peizazheve atraktive, restaurimit dhe konservimit të lokaliteteve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore e historike të komunës, si dhe rregullimit të kodrave të Gollakut, si atraksion natyrorë për vizitorë dhe krijimit të shtigjeve për çiklizëm në këto zona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.