Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi përmes një postimi në Facebook ka theksuar se dështimin në UNESCO, Thaçi e Selimi nuk po e cilësojnë si ndonjë humbje të madhe.
Çaushi më tej ka shtuar se në UNESCO veç dëmit ndaj Kosovës, Serbia goditi edhe lavdinë personale të tij, kurse me “Zajednicën”rrezikohet shtetndërtimi dhe e ardhmja e Republikës.
Lexoni postimin e plotë:
UNESCO-n dhe emrin e figurën e Hashim Thaçit i kemi parë gjithnjë bashkë. Hashim Thaçi kishte monopolizuar gjithë këtë përpjekje. Pas disa javësh investimi në fushatën e sforcuar për suksesin e madh diplomatik të pritur nga anëtarësimi në UNESCO, tash që anëtarësimi dështoi, Hashim Thaçi e Petrit Selimi po na thonë se kjo s’përbën ndonjë humbje të madhe.
Ne e dimë çfarë do të ndodhte në rastin e anëtarësimit – të gjitha meritat do t’i shkonin atij. Për UNESCO-n do t’i detyroheshim Hashim Thaçit. Tash që anëtarësimi dështoi, kush do të japë përgjegjësi?! Hashim Thaçi fajësoi propagandën raciste të Serbisë, por raciste është edhe Marrëveshja për “Zajednicën” që ai po e mbron me zell. Ka veç një dallim: në UNESCO veç dëmit ndaj Kosovës, Serbia goditi edhe lavdinë personale të tij, kurse me “Zajednicën”rrezikohet shtetndërtimi dhe e ardhmja e Repulikës. Për këtë të fundit, atij nuk i bëhet vonë.