Lajmet e fundit

Gjykata e Lartë “liroi” viktimën e djeshme, ishte dënuar me 16 vjet për vrasje

Capture“Për sa kohë, në përfundim të gjykimit, nëpërmjet një vendimi të formës se prerë, subjektet e pretenduara (dy bashkëpunëtorët) nga organi procedues e, në vijim, nga gjykata që gjykoi shtetasin Enton Nikaj, nuk u deklaruan fajtorë për kryerjen, në bashkëpunim me këtë të fundit, të veprës penale të parashikuar nga neni 78/2 i Kodit Penal (vrasje), vendimi penal dhënë në ngarkim të shtetasit Enton Nikaj do të duhet të rishikohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë”. Ky është paragrafi përmbyllës i një vendimi që mban datën 9 mars të vitit 2011. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Lartë, ndërsa kishte vendosur të prishte vendimet e dy shkallëve të para të gjyqësorit për vrasje në bashkëpunim të kryer nga Enton Nikaj dhe dy persona të tjerë në Tiranë në vitin 2006.

Nga ky vendim i zbardhur i Gjykatës së Lartë mësohet se prokurori ka kërkuar që Enton Nikaj, viktima e djeshme, të dënohej me 24 vite burg dhe me gjobë dhe për shkak të ‘gjykimit të shkurtuar’ i riu kishte mundur të përfitonte menjëherë uljen në një të tretën e dënimit. Dy personat e tjerë që u arrestuan për atë ngjarje, në fakt u akuzuan më pas vetëm për mos kallëzim krimi dhe për dhënie ndihme të autorit, meqë që të gjithë, përfshirë edhe viktimën ishin të njohur me njëri tjetrin. Enton Nika, 30 vjeç, nga Tirana, ia doli të lirohej vetëm pak kohë më parë, ndërsa ditën e djeshme, fatkeqësisht u vra pas një sherri për borxhe.

Vrasja e 2006-ës sipas Gjykatës

“Nga aktet e administruar në dosjen gjyqësore rezulton se në korrik të vitit 2006, organi procedues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka dërguar për gjykim shtetasit Enton Nikaj, Klajdi Hoxhalliu dhe Elvis Fikaj. Këta shtetas ishin marrë në cilësinë e të pandehurit për një ngjarje kriminale, si pasojë e së cilës kishte humbur jetën shtetasi Erlin Shepllo. Shtetasit e lartpërmendur dhe viktima ishin të njohur të njëri-tjetrit, por se mes tyre kish lindur një konflikt në lidhje me shitblerjen e jashtëligjshme të një arme tip pistolete.

Duke pretenduar se viktima, si hakmarrje për mosdhënien e pistoletës, kishte djegur pjesërisht automjetin tip BMW, me targa të Fierit që posedonte shtetasi Enton Nikaj, ky i fundit, së bashku me shokët e tij Hoxhalliu e Fikaj, pretendohej se kanë organizuar vrasjen e shtetasit Shepllo. Kështu në datë 25.02.2006, pasi e kanë thirrur nëpërmjet celularit, viktimën, e kanë takuar dhe së bashku me makinë janë drejtuar për nga Shish-Tufina. Pasi kanë kaluar uzinën e artilerisë, pretendohet se shtetasi Enton Nikaj e ka qëlluar disa herë me armë tip pistolete viktimën dhe si pasojë e plagëve të marra shtetasi Shepllo ka humbur jetën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.