Në konfrontime me forcat policore kanë degjeneruar mitingjet e mëdha të protestës në qendër të Athinës, në kuadrin e grevës së përgjithshme 24 orëshe që shpallën sindikatat e sektorit shtetëror dhe atij privat, greva e parë kundër qeverisë së majtë të kryeministrit, Alexis Tsipras, që kur ai ka ardhur në pushtet, në janar të këtij viti.
Konfrontimet kanë filluar pasi një grup anarkistësh kanë hedhur bomba molotovi ndaj barrierave të policisë në Omonia, në sheshin “Sintagma”, para Parlamentit dhe në Propilea.
Gjithashtu, anarkistët kanë thyer xhamat e disa bankave dhe qendrave tregtare në këto sheshe, kanë djegur disa makina dhe janë përleshur më pas me forcat policore. Prej mëngjesit, mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në tubimet e ndryshme, duke protestuar kundër politikave shtrënguese dhe rritjes së taksave që është detyruar të zbatojë qeveria nën presionin e kreditorëve.
Në këto 24 orë janë të mbyllura të gjitha shërbimet shtetërore, ministritë, zyrat e tatim-taksave, bashkitë dhe prefekturat, muzetë, shkollat, farmacitë dhe bankat. Spitalet funksionojnë me stafin e emergjencës, transporti publik ka ndërprerje shumëorëshe, anijet janë të ankoruara në porte, ndërsa edhe shumë fluturime të brendshme janë anuluar.
Gazetarët gjithashtu kanë lënë punën dhe heshtja mediatike mbizotëron në shtypin e vendit.