Projekti shkatërrues nuklear i Rusisë është publikuar pa lejen e autoriteteve në mediat ruse.
Kremlini ka thënë se planet sekrete të Rusisë për armën nukleare me rreze të gjata veprimi, e njohur si “Status-6” nuk duhet të paraqitet nëpër televizionet ruse.
Këto projekte janë zbuluar në një raport në televizionin shtetëror “Channel One”, që kishte të bëj me takimin e Putinit me krerët ushtarakë në qytetin e Sochi-t, transmeton KosovaPress.
Madje, një gjeneral i ushtrisë shihet teksa studion diagramin shkatërrues të sistemit nuklear ‘torpedo.’
Ky sistem mendohet të lansohet me ndihmën e nëndetësve, dhe sipas dokumentit do të krijonte hapësira të mëdha të kontaminuara me radioaktivitet.
“Sistemi Status-6 është i dizajnuar për të shkatërruar caqet e rëndësishme ekonomike të armikut nëpër hapësirat bregdetare, si dhe të garantojë dëmtim të territorit të vendit duke krijuar radioaktivitet kontaminues nëpër hapësira të gjera, duke i bërë t papërdorshme për ushtrinë, ekonominë apo çdo aktivitet tjetër për një kohë të gjatë”, thuhet në këtë dokument.
“Është e vërtetë që disa të dhëna kanë dalë befasisht në publik, për atë edhe janë fshirë menjëherë. Në të ardhmen pa dyshim se do të ndërmarrim masa preventive që kjo të mos ndodh më”, ka thënë zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitry Peskov.
Megjithatë, gazeta qeveritare ruse “Rossiiskaya Gazeta” ka raportuar për detajet e kësaj arme pa e publikuar diagramin, duke spekuluar për një armë super-radioaktive.
Mediat perëndimore raportojnë se zbulimi mund të mos ketë qenë aksidental.