Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka pritur sot në takim delegacionin e EUROSTAT-it që po qëndron në Kosovë të kryesuar nga drejtori i kësaj organizate, Pieter Everaers.
Tahiri vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë për realizimin me sukses të Regjistrimit të parë të popullsisë në Kosovës në vitin 2011, pas 30 viteve të vakumit në këtë fushë.
Poashtu ajo përmendi përkrahjen e dhënë edhe në procesin e regjistrimit të bujqësisë pasi që konfirmimi i këtyre statistikave nga ana e EUROSTAT-it natyrisht që ndikon shumë në besueshmërinë e statistikave të zyrtare të shtetit të ri të Kosovës.
Në këtë takim u bisedua për përgatitjet që janë duke u bërë për regjistrimit e popullsisë dhe të ekonomive familjare edhe në katër komunat e pjesës veriore të vendit të cilat kishin refuzuar të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011. Ajo theksoi se në saje të rezultateve të dialogut të Brukselit tashmë është krijuar klima politike për të organizuar regjistrimin e popullsisë si dhe të bujqësisë në këto katër komuna.
Ndërsa, Everaers, drejtor i EUROSTAT-it vlerësoi edhe njëherë kontributin e ministres Tahiri për realizimin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë në vitin 2011 kur ajo ishte ministre e Administratës Publike. Ai përgëzoi Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë e Statistikave për suksesin në organizimin e regjistrimit të bujqësisë, duke thënë se nga këto dy procese Kosova ka prodhuar statistika të larta e të besueshme, e që janë konstatuara si statistika me standarde evropiane. Në ketë drejtim, pa dyshim që edhe roli i EUROSTAT-it ka qenë vendimtar për të konfirmuar një gjë të tillë.