Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Pragë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e ministrave të Punëve të Jashtme të Grupit te Vishegradit (V4) dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6), njoftoi MPJ.
Thaçi sonte do të ketë një takim bilateral edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Lubomir Zaoralek, e pas takimit dypalësh, të gjithë ministrat e Grupit të Vishegradit, ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, RCC-it, do të takohen edhe me zëvendëspresidentin e parë të Komisionit Evropian, F. Timmerman.
Në kuadër të sesionit plenar, nesër ministrat e Grupit të Vishegradit dhe ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me zyrtarët e RCC-it dhe ata të Komisionit Evropian do të diskutojnë për zgjerimin e BE-së, për raportet e progresit, për migrimin, bashkëpunimin rajonal, etj.
Gjithashtu, nesër në samitin e Pragës, me një ceremoni solemne do të nënshkruhet edhe marrëveshja për Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe në fund do të mbahet edhe një konferencë për media.
Grupi i Vishegradit apo V4 është një forum apo aleancë e bashkëpunimit rajonal në mes të Republikës së Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë.