Lajmet e fundit
Ashton: Zgjedhjet, moment kyç për Kosovën

Ashton: Zgjedhjet, moment kyç për Kosovën

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se zgjedhjet e 3 nëntorit janë një moment kyç për të ardhmen e Kosovës dhe një element i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Prillit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Shumë njerëz kanë punuar fuqishëm në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, dhe unë i përgëzoj për përpjekjet e tyre. Falënderimet e mia të veçanta shkojnë për OSBE-në, roli lehtësues i së cilës ka qenë i dobishëm për të arritur këtu ku jemi sot”, tha ajo.

“Në fillim të procesit të dialogut kanë qenë dy kryeministra të guximshëm. Ata kanë pasur vizionin dhe kurajën për të arritur Marrëveshjen e Prillit dhe për ta zbatuar atë. U bëj thirrje atyre që të tregojnë vizionin dhe kurajën e njëjtë, për të siguruar zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë Ashton përmes një deklarate për mediat.

Ajo ka theksuar se Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër zhvillimin e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve që të adresojnë sfidat e mbetura.

Ky proces zgjedhor duhet të jetë po ashtu një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës, ka thënë Ashton, duke u bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre të komunitetit serb, që të marrin pjesë në zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.