Lajmet e fundit

Tahiri: Serbia e njohur për dyfytyrësi

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në emisionin “Info Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se Kosova i ka pozitat e qarta në dialogun me Serbinë. Sipas saj, dialogu për fqinjësi të mirë është standard evropian dhe obligim kushtetues.
Ajo ka theksuar se Kushtetuta e obligon Kosovën për fqinjësi të mirë, duke shtuar se “pavarësisht historikut të luftës dhe gjenocidit, jemi përcaktuar për dialog me Serbinë, në mënyrë që ta qojmë Kosovën në Bashkimin Evropian (BE)”.

“Çdo marrëveshje që del nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në parim nuk bie ndesh më Kushtetutën e Kosovës. Serbia është e njohur për dyfytyrësi, edhe pse po deklarohet që është e përkushtuar në dialog. Dyfytyrësia e saj u pa edhe në këtë rast – rasti i mospranimit të Kosovës në UNESCO. Fryma e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore ishte shpërfaqje e fytyrës së Serbisë, e cila flet për parime evropiane, në anën tjetër shkel parimet evropiane”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, ndërprerja e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, nënkupton izolim të Kosovës, duke shtuar se “zërat që thërrasin për ndërprerje nuk i besojnë fjalët e veta”.

“Kosova po bën përparime në planin ndërkombëtar, po forcon pozicionin ndërkombëtar, po ashtu lidhet me reformat demokratike dhe evropiane që ne po i zhvillojmë në vendin tonë”, ka shtuar Tahiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.