Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se gjatë kohës sa ai është në krye të qeverisë së shtetit të tij, më pak se dy vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në këtë mënyrë, ai ka replikuar me kundërshtarët e tij politikë, të cilët ishin në pushtet më parë, e të cilët po e akuzojnë se po i shet interesat e Serbisë.
“Gjatë mandati tim vetëm një vend e gjysmë e kanë njohur Kosovën, e në kohën e tyre 103”, ka thënë ai në një konferëncë shtypi në Beograd, njofton Novosti, transmeton Klan Kosova.
Për më tepër, Vuçiq ka thënë se askush në Serbi nuk mund t’i shesë atij mësime patriotizmi, e sidomos ata, në kohën e pushtetit të të cilëve Kosova e ka shpallur pavarësinë.
“Kur kjo ndodhi, ata nuk dolën t’i ndihmojnë popullit, por shikonin ku ka xhamia për t’i djegur”, shtoi ai. “Sikur votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO të bëhej në kohën e tyre, ata nuk do të mund ta pengonin”.
Shefi i qeverisë në Beograd mohoi edhe akuzat se po dështon marrëveshja për asociacionin e komunave serbe të Kosovës.
“Sa më përket mua dhe Serbisë, kjo marrëveshje është punë e kryer”, tha Vuçiq.