Janë bërë dy javë që opozita e ka shpallur të mbyllur peticionin me nënshkrime kundër asociacionit të komunave me shumicë serbe e demarkacionit me Malin e Zi, por ende nuk dihet se ku dhe kur do të dorëzohen ato nënshkrime.
Këtë ende nuk e kanë vendosur opozitarët që fillimisht patën deklaruar se pos institucioneve vendore, i njëjti do t’u dorëzohet edhe institucioneve ndërkombëtare, madje deri në Bruksel, raporton KTV.
Zyrtarë institucionalë shpeshherë e kanë vënë në dyshim vërtetësinë e këtij peticioni dhe numrit të nënshkrimeve, por Bilall Sherifi thotë se kushdo e ka mundësinë ta vërtetojë secilin prej tyre.
E analisti Imer Mushkolaj thotë se nëse opozita nuk e dorëzon në Kuvend peticionin, del se e kanë keqpërdorur atë.
Me rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës përcaktohet që peticioni fillimisht dërgohet në komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Në komision:
a) Pranohen për shqyrtim peticionet, të cilat janë bërë me shkrim, i kanë emrin e dërguesit dhe nënshkrimet përkatëse, janë të kuptueshme dhe e tregojnë qartë objektin e tyre”.
b) Komisioni mund t’ua kthejë peticionin dërguesve për rihartim ose t’u kërkojë sqarime shtesë.;
c) Jo më vonë se dy javë punë, nga dita e marrjes së peticionit, kryetari i Komisionit e paraqet peticionin në Komision, duke propozuar njëkohësisht edhe mënyrën e zgjidhjes ligjore ose mospranimin e peticionit.
Në rast se Komisioni e vlerëson të arsyeshme, për zgjidhjen e çështjes mund ta autorizojë kryetarin e Komisionit, të paraqes deklaratë në mbledhjen plenare të Kuvendit.