Çfarë ndodh nëse nuk hyjmë në “Facebook” për një javë? Lumturia jonë shtohet. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga “Happy Research Institute” në Danimarkë, i cili ka marrë në shqyrtim rastet e 1095 njerëzve.
Studimi ka nxjerrë se largimi nga rrjetet sociale sjell një dëshirë më të madhe për të shijuar jetën dhe reduktimin e trishtimit e zemërimit.
“Facebook” është në fakt një panoramë e jetëve të modifikuara, të cilat mund të deformojnë perceptimin tonë për realitetin. Instituti danez i ka ndarë 1095 personat që kanë marrë pjesë në studim në grupe kontrolli dhe grupe studimi.
Gjysma kanë vijuar përdorimin e rrjetit social rregullisht, ndërsa gjysma tjetër janë “stakuar” për 7 ditë. Rezultati ka qenë habitës: nëse para testit, 81 % e këtyre personave e cilësonte veten të lumtur, në fund të studimit, ky numër u rrit në 88%. Studiuesit kanë vënë re reduktimin e trishtimit (nga 34% në 22%), të depresionit (nga 33% në 22%) dhe ndjesinë e vetmisë (nga 25% në 16%).
Eliminimi i kontaktit me jetën sociale virtuale përmirëson jetën reale. Nga një shkallë 1-5, niveli i kënaqësisë pas studimit ishte 4,08, ndërsa para testit qëndronte në nivelin 3.86.
Një tjetër përfundim i rëndësishëm ka të bëjë me përqendrimin. Ata që qëndruan larg rrjeteve sociale vunë re një lehtësi në rifitimin e energjisë për të studiuar dhe lexuar, çka do të thotë më pak kohë e shkuar dëm gjatë ditës.