Lajmet e fundit

Buxheti në Kuvend-Opozita Zotohet ta Pengojë

Pas dritës së gjelbër nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, projekt buxheti për vitin 2016 pritet të s’i shkojë Kuvendit në lexim të parë.

Kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani tha se pret që miratimi të ndodhë deri më 9 dhjetor të këtij viti.

“Ne e kemi bo ni orar dhe me planin tonë mendojmë që deri me datën 9 buxheti do të jetë i gatshëm. Komisioni e ka kalu në parim buxhetin. Tash duhet kryesia me vendos që në seancën e parë me shku në lexim të parë, që mundet me qenë javën e ardhshme. Pas kësaj komisioni e bënë amandamentimin. Deri më datën 9 dhjetor duhet me shku edhe në lexim të dytë dhe me u aprovu i gjithi,” tha Osmani.

Sipas tij pozita ka 61 vota, aq sa janë të mjaftueshme që buxheti të kalojë. “Me opozitë ose pa opozitë seanca duhet me u mbajt. Ne kemi vota të mjaftueshme”.

Ndërsa nënkryetari i kuvendit Xhavit Haliti, nuk foli për rendin e ditës, por tha që të hënën mblidhet kryesia.

“Të hënën mblidhet kryesia dhe caktohet seanca e radhës”.

Por në ftesën për mbledhjen e kryesisë e paraparë të mbahet të hënën më orën 11, ndër pikat e rendit të ditës është edhe ajo për buxhetin.

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, është renditur si pika e gjashtë e rendit të ditës.

Ndërkohë që kryesia do të mblidhet për caktimin e seancës plenare, partitë opozitare rikonfirmojnë qëndrimet e tyre për pengimin e punës së Kuvendit.

“Subjektet opozitare do të vazhdojnë me protestën e tyre brenda Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të pamundësojmë vazhdimin e seancave të ardhshme. Këtu përfshihet edhe seanca që po paralajmërohet të mbahet javën që vjen, e në të cilën parashihet diskutimi mbi buxhetin,” tha Frashër Krasniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes.

E për ish-ministrin e financave, Haki Shatri ky buxhet nuk ka ndërruar asgjë krahasuar me vitin që po lëmë pas.

“Në planifikim sen s’ka ndrru. Kemi 3% rritje, e 1% i kanë zvogëlu investimet kapitale, e kanë shtu 23 milionë për pensione. Kjo nuk është ulje dramatike, por tendenca është negative, sepse po shkon tu u e zvogëlu pjesëmarrjen e investimeve kapitale”.

Deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa tha që buxheti pritet të lexohet në seancën e radhës, duke shtuar që nuk ka ndonjë trend pozitiv në projektimin e buxhetit të vitit 2016 për arsye të një mori projektesh të trashëguara nga vitet e kaluara.

“Nuk ka ndonjë trend pozitiv në buxhetin e projektuar për vitin 2016 destinimi i buxhetit shkon për një mori projektesh të trashëguara nga vitet e mëhershme. Në projekt-buxhetin e viti 2017 priten që shumë projekte kapitale të financohen nga donacionet jo nga buxheti i Kosovës,” tha Mustafa.

Në bazë të procedurave ligjore, fundi i tetorit është koha kur Qeveria duhet të miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal, kurse deri në fund të dhjetorit duhet të miratohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në mungesë eventuale të buxhetit të miratuar, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm shpenzimet buxhetore mund të realizohen me 1/12 e buxhetit paraprak./Kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published.