Njëri prej personave që gjendej në stadiumin e “Stade de France” në Paris ishte edhe një aktor nga Kosova.
Ridvan Mjaku, dëshmitar në stadiumin ku zhvillohej ndeshja Francë-Gjermani, rrpfen për përjetimin e kësaj ngjarje. Mjaku deklaroi se në stadium ka dëgjuar dy eksplodime, ndërsa tifozët nuk ishin në dijeni se kishte të bëjë për bomba.
“Kur eksploduan bombat njëra pas tjetrës isha këtu poshtë në të majtë i ulur në S5 ndërsa eksplodimit ishin në anën tjetër të stadiumit në hyrjen D, ky aty edhe kalova pak çaste para se me hy në stadium. Nuk kishte panik në fillim se shumica e shikuesve ndoshta mendonin se është ndonjë petard aty brenda, pra nuk kishte panik në fillim, mirëpo shpërthimet ishin jashtëzakonisht të forta”, thotë ai për Zëri.
Më tej, Mjaku shpjegon se në pjesën e dytë kishte marrë një telefonatë nga një mik i cili shikonte informacionet.
“Duke e ditur se unë gjendem në “Stade de France” më morri në telefon dhe më shpjegoi situatën jashtë në Paris, por sidomos rreth stadiumit ku isha unë, dhe më luti që të dal sa më shpejt para se të kishte panik të përgjithshme brenda”.
“Kur dola nga fusha e futbollit kuptohej se shumë shikues të pranishëm kishim marr thirrje nga familjarët që ta braktisin stadiumin dhe jashtë pra ishte çdo gjë si në gjendje lufte, polici, ushtri, njësi speciale, helikopter lart stadiumit, dhe se ka qenë shumë e vështirë për të shkuar në shtëpi, mirëpo falë Zotit i’a dolëm. Tani në Francë është shpallur ditë zie për 3 ditë, gjendja është tepër e keqe, dhe rrugët e Parisit janë të zbrazura”, thotë ai.
Ndryshe, aktori kosovar jeton në Francë që nga viti 1991 dhe se në Paris është qe 18 vite ku edhe punon si aktor.