Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj po konsideron se gjendja në fushën e arsimit në komunën e Ferizajt ka degraduar në përmasa shqetësuese dhe se fajin për këtë gjendje e mbajnë drejtuesit e pushtetit lokal.
Gjatë një konference për medie, të shtunën drejtuesit e nënkomitetit për arsim të këtij subjekti i kanë bërë një analizë raportit 9 mujor të punës së Drejtorisë së Arsimit, duke nxjerrë në pah një mori shkeljesh siç janë, punësimet në baza partiake e nepotiste, angazhimet në procesin mësimor të kuadrit pa respektuar kriterin e konkursit, regjistrimin dhe rritjen e numrit të nxënësve nëpër shkolla, humbjen e një numri të orëve mësimore, rritjen e dukurive negative brenda dhe jashtë shkollës, menaxhimin e disa shkollave me ushtrues detyre si dhe heshtja para aferave abuzuese me paratë e ekskursionit të maturantëve.
“Sfidat dhe problematikat e lartcekura po vazhdojnë t’i rrinë në qafë sistemit arsimor të komunës sonë dhe cilësia arsimore natyrisht se humbë kuptimin dhe objektivën e saj. Duke i mbajtur përgjegjës këtë kastë politike ne si subjekt opozitar ftojmë kreun e ko munës Sfarqa që t’i jap fund qeverisjes me mentalitet të pashallarëve mbi asetet e vlerave publike sepse arsimi edhe në ditë më të vështira është dëshmuar me sakrificë e qëndresës , andaj edhe meriton trajtim më të dinjitetshëm”, ka thënë drejtuesi i këtij nënkomiteti, Enver Bajrami.
Për më tepër ky subjekt në vazhdën e analizës së raportit të DKA-së të bërë publik para dy ditëve, mendon se përshtypjet e para nëse i bëhet një vështrim joanalitik atij, lë të kuptoi sikur dëgjon një Drejtori financash e ngazëllyer për larje të borxheve.
“Se në çfarë derexhe e kanë sjellë arsimin , dëshmon edhe fakti që shlyerjen e borxheve që si të tilla paraqesin shkelje ligji dhe njëkohësisht janë obligime ligjore, mundohen t’ia shesin opinionit si rezultate dhe të arritura”, ka thënë Bajrami, për të shtuar se sa i përket projekteve kapitale infrastrukturore të DKA-së , përpos objektit të shkollës ekonomike si pr ojekt kapital i premtuar qysh nga qeverisja e kaluar, i tërë leximi i projekteve tjera përfundon me projekte minore të rregullimit dhe rirregullimit të rrethojave dhe ngrohjeve qendrore të shkollave, që vijnë si pasojë e dështimit të shumë projekteve nga qeverisja korruptive 15-vjeçare që synim kryesor kishte alokimin e mjeteve financiare dhe zhvatjen e tyre.
“Raportimin për nëntëmujorin e kaluar të DKA-së që merret me përshkrim të shlyerje borxhesh të trashëguara të cilat janë obligime të domosdoshme ligjore dhe lexim të projekteve infrastrukturore të cilat nuk flasin askund dhe asnjë herë për mbikëqyrje dhe cilësi në implementim, LVV i vlerësojmë si keqmenaxhim dhe shmangie përballë sfidave të krijuara nga vetë mënyra qeverisëse”, ka thënë Enver Bajrami.