Gianni de Biasi ka insistuar se kundër Gjeorgjisë do të provojnë gjëra të reja
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi është shprehur se do të fokusohet në eksperimente të reja, përpara eventit më të rëndësishëm të vitit të ardhshëm, Euro 2016 që do të zhvillohet në Francë.
“Me Gjeorgjinë do të kemi një ndeshje të veçantë, pas asaj festive të zhvilluar me Kosovën në Prishtinë. Ndaj gjeorgjianëve do të provojmë gjëra të reja, në mënyrë që të përcaktojmë disa gjëra të rëndësishme të vlefshme për Euro 2016”, tha De Biasi gjatë konferencës për media.
“Në Francë do të vijnë kryesisht ata që kanë kontribuuar në kualifikimin historik të Shqipërisë në atë Evropian, ndërkohë që dyert e Kombëtares do të mbeten të hapura për cilindo që do të ‘shpërthejë’ papritur apo do të ketë një ecuri pozitive në vijimësi”, tha në fund ai.
Kujtojmë se ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Gjeorgjisë do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:00 në ‘Qemal Stafa’.