Më datë 30.10.2013 në ndeshjen e Kombëtares së Femrave në Futboll e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ka ndodhur një rast i paprecedentë në lirinë e të shprehurit dhe demokracisë. Një nga anëtarët e “Tifozave Kuq e Zi” është shoqëruar në polici pasi hapi flamurin e UÇK-së gjatë intonimit të himnit kombëtar shqiptar. Pavarësisht që pas presioneve të shumta arritem që anëtari ynë të lirohej, jemi të detyruar të reagojmë fuqishëm ndaj këtij akti që fyen vlerat tona kombëtare dhe njollos uniformën e policisë së shtetit.
Tashmë është bërë rutinë që grupimi i “Tifozave Kuq e Zi” persekutohet nga instrumente të caktuara të policisë së shtetit. Presioni kundrejt grupimit tonë ka ardhur menjëherë që me hyrjen në stadium ku policia ka ushtruar presion verbal, madje ka shkuar aq larg sa na ka dhënë direktiva se duhet vetëm të ulemi dhe mos të këndojmë apo të brohorasim thirrjet tona. Një veprim i tillë ka qenë i turpshëm dhe fyes për ne, pasi si tifozë që jemi, detyrë e jona është t’i këndojmë flamurit tonë, Kombëtares sonë, vendit tonë, Shqipërisë sonë të përbashkët.
Siç thamë edhe më sipër ky është veprim i përsëritur nga i njëjti polic që kohë më parë pati arrestuar edhe dy anëtarë tanët në ndeshjen e shpresave “Shqipëri – Rusi” po në Durrës. Emri i tij është, Karafil Xholi i cili atë kohë të arrestuarit i kishte shoqëruar me arsyetimin “Prishje e qetësisë publike” në stadium (neni 274 i Kodit Penal të Shqipërisë).
Pse flamuri i UÇK-së në stadium?
UÇK-ja është krenari dhe vlerë Kombëtare për popullin shqiptar. Tifozat Kuq e Zi kanë përcjellë Kombëtaren edhe në transferta, dhe mund t’ju themi se në të gjitha stadiumet është hapur po i njëjti flamur dhe janë bërë po të njëjtat thirrje. Ky flamur NUK “prishi qetësinë publike” në stadiumet e Parisit, Lucernit, Lubjanës, Oslos, Rejkjavikut, Sofies, Bukureshtit e plot stadiumeve të tjera, por jo edhe për policinë e Durrësit, respektivisht shefin e saj zotërinë Xholi (pavarësisht se nuk e meriton një parashtesë të tillë).
Andaj, me anë të kësaj deklarate kërkojmë nga ministri i brendshëm Saimir Tahiri marrjen e masave për përgjegjësit e Policisë së Durrësit për këto veprime të turpshme të cilat po përsëriten duke na etiketuar si ordinerë. Në ndeshjen kundër Norvegjisë donin të na ndalonin koreografinë “Unë Besoj”, sot na ndalohet një flamur dhe këngët, po nesër? O sa mirë me qenë shqiptar!”, thuhet në deklaratën e dërguar nga Tifozat Kuq e Zi në redaksinë tonë.