Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit mund të caktohet për të enjten

Seanca e ardhshme planer ka shumë gjasë se do të zhvillohet të enjten më 19 nëntor.

Burime të KlanKosova.tv kanë marrë vesh se kështu do të caktohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila do të mbahet nesër, e hënë, në ora 11:00.

Seanca e ardhshme, nëse mbahet ajo, do të ketë 37 pika të rendit të ditës, kurse në pikën gjashtë, parashihet “shqyrtimi i pare i Projektligjit për Buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2016”.

Por, tentimet për të mbajtur një seancë plenare te enjten do të bllokohen përsëri nga opozita.

Kështu ka deklaruar për Klan Kosovën zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.

“Opozita do të protestojë brenda Kuvendit për të mos e lejuar zhvillimin e seancës”, ka thënë Krasniqi.

Seanca në parlamentin e Kosovës, përveç atyre solemne, nuk janë zhvilluar tash e dy muaj.

Me 11 shtator të këtij viti, kryeministri i Kosovës po raportonte për marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë, kur në fillim të fjalimit të tij u ndërpre nga opozita, deputetët e së cilës e gjuajtën me vezë kryeministrin për ta ndaluar fjalimin e tij.

Opozita është zotuar se nuk do të lejojë zhvillimin e një seance tjetër derisa Qeveria të tërhiqet nga marrëveshja e arritur me Serbinë në Bruksel për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma për Kosovën thonë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe e shkelë atë.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, kanë treguar se nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga kurrfarë marrëveshje, dhe se kërkesat e opozitës janë absurde.

Leave a Reply

Your email address will not be published.