Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prishtinë, konkretisht Aleanca për Prishtinën, e përmbylli sot kampanjën parazgjedhore për Prishtinën, në një tubim në Palestrën e Rinisë dhe të Sporteve.
Zyrtarë të lartë të AAK-së dhe të koalicionin AAK-LDD si dhe mijëra qytetarë, morën pjesë në këtë takim në mbështetje të kandidatit të AAK-së për Prishtinën, Besnik Tahirit dhe të listës fituese për Prishtinën, asaj të koalicionit AAK-LDD.
Besnik Tahiri, kandidat i Aleancës për Prishtinën, ka thënë para të pranishmëve se AAK dhe oferta e tij për kryeqytetin e Kosovës janë oferta më e sinqertë dhe alternativa më e sigurt për një jetë më të mirë, për një Prishtinë të zhvilluar ekonomikisht dhe për një kryeqendër moderne të Kosovës.
Ai ka thënë se Kontrata me Prishtinën, kontrata për ndryshim, e nënshkruar lagje për lagje dhe me secilin qytetar të Prishtinës, do të jetësohet plotësisht në mandatin e tij të parë, që në pjesën e parë të këtij mandate, si kryetar i Komunës së Prishtinës.
Tahiri i ka ftuar qytetarët e Prishtinës që ta votojnë AAK-në, listën fituese të AAK-së dhe kandidatët e saj, në numrin 62.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e Besnik Tahirit në nëntë muajt e fundit, qysh kur ai u nominua kandidat i AAK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Haradinaj ka thënë se Besnik Tahiri dhe numri 62 janë shpresa për kryeqytetin, janë shpresa për Prishtinën, e cila është qyteti kryesor it ë gjithë qytetarëve të vendit, është adresa dhe letërnjoftimi i vendit tonë në sy të botës.
Mbështetje dhe votën për Besnik Tahirin ka kërkuar dhe kryetari i LDD-së, pjesë e koalicionit me AAK-në, Nexhat Daci.