28 Nëntori, Dita e Pavarësisë dhe e Flamurit Kombëtar, është një nga ditët më të rëndësishme të kombit shqiptar. Me 28 Nëntor 1912, në qytetin e Vlorës, nga dora e Ismail Qemalit, u ngrit flamuri kombëtar shqiptar dhe u vunë themelet e shtetit të bashkuar kombëtar shqiptar. Të jesh shqiptar do të thotë të kesh përgjegjësi kombëtare për jetësimin e aktit juridik të 28 Nëntorit 1912.
Kuvendi Gjithëkombëtar i Vlorës (28 Nëntor 1912), nuk e shpalli pavarësinë e Shqipërisë së sotme, por të Shqipërisë Natyrale, me kufijtë e vet natyrorë, legjitim, historik dhe shtetërorë. Në shpalljen e Pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, që përfshin territoret e katër Vilajeteve Shqiptare që ekzistonin para, gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881):
1.Vilajeti i Janinës, 2.Vilajeti i Manastirit, 3.Vilajeti i Kosovës dhe 4.Vilajeti i Shkodrës. Pjesëmarrja e delegatëve nga të gjitha trevat shqiptare shprehu vendosmërinë e të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar.
Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar, ku sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta, ndërsa Shqipëria e sotme në kufijtë e saj ekzistues, është produkt i Konferencës së Londrës (1913).
Prandaj, domosdoshmëri është bashkimi rreth Lëvizjës për Shqipëri të Bashkuar, si alternativë e vetme për jetësimin e aktit juridik të 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë së Bashkuar.
Tahir Veliu
15 Nëntor 2015
Autori është ideator i Lëvizjës për Shqipëri të Bashkuar