Këngëtarja e njohur e estradës, Miranda Hashani, ka shprehur ndjenjën e dhembjes për viktimat e Parisit – qytetit të saj të lindjes.
Si një shpirt artisti duke folur për planet e saja muzikore, në programin ‘Top Folk’ të Radio Dukagjinit, Hashani ka shprehur ndjenjën e dhembjes, por edhe të solidaritetit me viktimat e Parisit.
“Kam lindur në Paris. Një pjesë e kulturës time, stilit, edukatës si në skenë ashtu edhe në jetën e përditshme, pra ajo se si sillem me njerëzit, janë pjesë e asaj që kam marrë nga Parisi”.
“Atje më jeton familja dhe për fat të mirë ata janë mirë, por qindra jetë të tjera kanë humbur. Vdiqën njerëz në kinema… çfarë do të thotë kjo…”, pyet Miranda, derisa shprehet se “kjo botë është çoroditur”.
Në këtë takim nate, Miranda ka folur edhe për projektet muzikore me ç’rast ka bërë të ditur se dy albume muzikore janë në përfundim e sipër, një me serenata që i ka specialitet dhe tjetri me këngë popullore.