Krahas fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), lajmë i mirë për Kosovën, sipas ekspertëve të Ekonomisë është edhe raporti i Bankës Botërore në fushën e të Bërit Biznes, ku Kosova këtë vit është renditur në pozitën 86 nga 189 vende të studiuara nga Banka Botërore, duke shënuar përparim për 10 vende nga një vit më parë.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duhet ta dimë ta shfrytëzojmë efektin pozitiv që japin raporte të tilla, do të arrijmë që të tërheqim investitorët e huaj, të cilët sipas tij i mungojnë Kosovës.
Në një prononcim për Radio Dukagjinin, Gërxhaliu ka thënë se me gjithë faktin se për herë të dytë renditemi më mirë në raportin e BB-së, nuk ka vend për vetëkënaqësi, sepse sfidat që ka Kosova para vetes sidomos në aspektin ekonomik janë shumë të mëdha. “Krahas fillimit të negociatave për MSA-në, padyshim se raporti i BB-së është një lajm i mirë. Po që se dihet të promovohet dhe të plasohet si një ndodhi e vitit në aspektin pozitiv mund të ketë efekte enorme pozitive, në rend të parë psikologjike. Sepse do të ndikojë dhe do t`i provokojë investitorët e huaj potencial nga jashtë për të investuar në Kosovë, investitorët të cilët për fat të keq në vendin tonë janë duke munguar”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij, renditja për disa pozitë më mirë në këtë raport të BB-së nuk duhet të krijoj eufori, apo vetëkënaqësi, sepse sfidat ekomomike që ka Kosova janë shumë të mëdha. “Ky raport e ka një qasje pozitive në aspektin extern (jashtëm), mirëpo vlera e këtij rangimi pozitiv kishte me qenë edhe më substanciale në qoftë se kishte me pas efekte edhe në ndërmarrësi edhe në aspektin ekonomik vendorë. Prandaj në qoftë se në brendi nuk e kemi atë substancën e përmirësimit të ambientit biznesor, do të jetë shumë e vështirë vërtet e tëra kjo të reflektojë në aspektin pozitiv. Pra në qoftë se dëshirojmë që vërtet këto raporte ta kenë vulën e suksesit për ardhmërinë e Kosovës, atëherë pa mëdyshje sundimi rendit dhe i ligjit është indikatori kyç i cili duhet të përmirësohet”, tha ai.
Gërxhaliu shtoi se në fushën e përmbarimit të lëndëve, si një nga problemet me të cilat përballen bizneset në Kosovë, një fushë e cila vlerësohet edhe në raportin e BB-së, Oda Ekonomike ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë kontributin saj përmes arbitrazhit.
“Oda Ekonomike është duke e dhënë kontributin e vet sa i përket jo vetëm zgjidhjeve përmes arbitrazhës, por edhe përmes angazhimeve në forma tjera. Por është koha kur duhet vërtet të mendohet në aspektin e qëndrueshmërisë afat-mesëm dhe afat-gjatë të zhvillimit ekonomik. Dhe në këtë drejtim në qoftë se nuk kemi rend dhe ligj atëherë do të jetë çdo rrugëtim ndoshta i vështirë. Po e them mundësia e zgjidhjes së problemeve përmes OEK-ut, ose arbitrazhës është praktikë shumë e avancuar në shumë prej vendeve të BE-së, ku arbitrazhi është një shtyllë mbështetëse e komunitetit të biznesit”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij bizneset dita ditës kanë filluar ta kuptojnë se përmes arbitrazhës mund të zgjidhin shumë çështje pa patur nevojë që të presin muaj, apo vite të tëra një vendim gjykate. Gërxhaliu tha se edhe më tutje është i nevojshëm vetëdijesimi i komunitetit të biznesit se mund t`i evitojnë pritjet e gjata, apo prolongimet të cilat i hasin nëpër institucione, siç janë gjykata, prandaj ai i inkurajon bizneset që ta shfrytëzojnë mundësin që ofron arbitrazhi dhe në këtë mënyrë të ndikojnë edhe më shumë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.
Ndryshe në raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes 2014”-të, është Singapori ai që i prin listës së vendeve për lehtësinë e të bërit biznes. Kosova pra në dy vitet e fundit është renditur për 40 vende më lartë për të bërit biznes. Përparimi i Kosovës ka lënë prapa vendet e rajonit dhe disa vende të BE-së. Kosova, tani, është më mirë se Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, por, gjithashtu, këtë vit e ka tejkaluar dhe Kroacinë, si vend i BE-së.