Lajmet e fundit
Teknologjia dhe shërbimet sekrete

Teknologjia dhe shërbimet sekrete

Andrew Parker

Nuk ka dyshim se Britania e Madhe ka një nga njësitë më të zhvilluara dhe më efektive në kapacitetet dhe angazhimet e kundërterrorizimit në botë…Por në një kuptim Kundërterrorizmi si i tillë është një sugjerim i skajshëm.

Më lejoni të shpjegoj se çfarë dua të them. Terrorizmi, për shkak të natyrës së tij dhe pasojave, është një fushë e krimit ku pritmëritë e zbulimit jo rrallë duket të jenë të barabarta me zero. Imagjinoni sikur për vrasjet në përgjithësi apo trafikantët e mëdhenj të drogës të mbanim të njëjtën shënjestër. Kjo do të ishte punë për parashikuesit e krimit, njësoj si “para-ekzekutimi”(pre-crime) në filmin e Tom Cruise “Raportimi i pakicës” (Minority report). Por, jeta nuk është si në filma.

Në një shoqëri të lirë “zeroja” është sigurisht e pamundur për t’u arritur përballë kërcënimeve serioze dhe të vazhdueshme, ndonëse ne do të vazhdojmë të përpiqemi për ta arritur. Refuzimi absolut për të pranuar terrorizmin është arsyeja pse kaq shumë përpjekje që bëhen i dedikohen punës inteligjente që synon zbulimin e planeve dhe të pengojnë komplotet përpara se ato të ndodhin. Për pasojë, arritja e sukseseve të mëdha rrezikon të krijojë pritmëri për një parandalim të sigurt. Por, nuk mund të ketë një siguri të tillë. Këtu lind edhe ndryshimi mes të diturit për dikë dhe të diturit gjithçka për ta.

Ne kemi punuar shumë që të identifikojmë sa më shumë njerëz në vend, të cilët janë aktivë, në disa drejtime, në mbështetje të terrorizmit. Siç edhe paraardhësit e mi e kanë nënvizuar, ka me mijëra syresh, të përfshirë në shkallë të ndryshme. Dhe përsëritja nga ana ime e këtij fakti, mund të nxisë përhapjen e iluzionit, në pamje të parë të arsyeshëm, se duke ditur se kush është dikush, kjo do të thotë se MI5 në një farë mënyre di gjithçka për këtë person dhe në mënyrë të vazhdueshme monitoron çdo aspekt të jetës së tyre. Por ne nuk mundemi ta bëjmë këtë. Ideja që ne mund apo duam të operojmë duke kontrolluar me imtësi mijëra njerëz është fantazi. Këtu nuk jemi në Gjermaninë Lindore apo në Korenë e Veriut. Qeveritë e tjera, kanë marrë vendime të kujdesshme si për shkallën ashtu edhe për fuqinë e organizatave si MI5, në proporcion kjo me kërcënimet që ekzistojnë dhe ato nuk kanë shkuar më tej.

Britania është një demokraci që e vlerëson drejt lirinë e individit. Ne nuk e dëshirojmë një aparat sigurie që depërton kudo dhe që është represiv. Të dish për një njeri, nuk është e njëjta gjë me të dish gjithçka për të. Të jesh në rrezen e radarit tonë nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh nën fokusin e mikroskopit tonë…Unë ndihem shumë i kënaqur që ne jemi një shërbim shumë i besueshëm. Është shumë e rëndësishme, për këtë lloj vendi që të gjithë dëshirojmë të jetojmë, që organizata si kjo ku unë punoj të mos kenë liri veprimi dhe si pasojë e kësaj ne nuk jemi pra të orientuar politikisht. Ne veprojmë në bazë të ligjit.

Unë jam përgjegjës për operacionet tona, por përgjigjem para Sekretarit për Çështjet e Brendshme. Ajo nga ana e vet përgjigjet para Parlamentit dhe popullit britanik, të gjitha përgjegjësi që unë e di mirë se ajo i konsideron me seriozitetin më të madh…Unë shpesh e përshkruaj punën në MI5 si një dualitet: duke e mbajtur vendin të sigurt sot dhe duke u siguruar se ne do të jemi të aftë që edhe nesër të bëjmë po të njëjtën gjë. Me fjalë të tjera, duke bërë gjithçka mundemi për të përballuar kërcënimet që ka sot vendi, ndërsa e ripërcaktojmë pozicionin tonë dhe zhvillojmë kapacitetet për të cilat kemi nevojë për të mbrojtur Britaninë nga kërcënimet e së ardhmes. Suksesi ynë në të ardhmen do të varet nga ajo sesi do t’i përgjigjemi dy çështjeve kryesore: e para është diversifikimi i kërcënimeve në të gjithë frontet dhe i dyti, ndoshta më i madh, gara për përshpejtimit teknologjik. Interneti, “të dhënat e pafundme” (big data) dhe kapërcimet në teknologji vazhdojnë që ta ndryshojnë thellësisht mënyrën sesi jetojmë…

Interneti përdoret nga terroristët për shumë qëllime: emetimin dhe përhapjen e propagandës së tyre, radikalizmin e njerëzve që janë të prekshëm, blejnë pajisje, rregullojnë çështjet e udhëtimit, lëvizin paratë e kështu me radhë. Por çështja primare është komunikimi. Kur unë hyra në shërbim, komunikimi mes njerëzve në zona të largëta bëhej përmes telefonit apo përmes letrave. Atëherë kur kishte arsye për ta bërë, të dyja mund të interceptoheshin në mënyrë të fshehtë, me anën e një mandati legal. Ne mundet që në mënyrë të arsyeshme të supozojmë se kështu mund të disponojmë të gjithë përmbajtjen e komunikimit të objektit tonë, për të bërë analizimin e tyre. Në një nivel më të ulët ne mund të sigurojmë të dhënat e thirrjeve të tyre: një listë të thirrjeve që ata kanë bërë dhe kanë marrë, pa përmbajtjen e tyre. Interneti dhe teknologjitë e lidhura me të na paraqesin një botë të ndryshme- më të mirë në shumë drejtime, por më të mirë gjithashtu edhe për terroristët. Përmes e-mailit, IP telephony… rrjeteve sociale, chat rooms, shërbimet anonimizuese dhe një pafundësi aplikimesh të telefonisë celulare, terroristët kanë me dhjetëra mijëra mundësi komunikimi. Shumë nga këto janë deshifruar dhe të përparime të mëtejshme bëhen çdo ditë.

Ndryshimet teknologjike mund të gërryejnë aftësitë tona, kështu që ka disa zgjedhje që duhen bërë, përfshirë p.sh se si dhe nëse të dhënat e komunikimit duhen ruajtur…teknologjitë përparojnë gjithmonë. Por ne, ende kemi nevojë për të aftësinë tonë për të lexuar apo dëgjuar komunikimet e terroristëve nëse duam që të kemi ndonjë ide për qëllimet e tyre dhe për t’i ndaluar ata. E kundërta e kësaj do të ishte që ne të pranonim se terroristë kanë mënyra komunikimi të tilla që u japin sigurinë se janë jashtë vëmendjes së MI5 dhe GCHQ(Selia Qeveritare e Komunkimeve) që verpojnë me një mandat legal. A e beson dikush këtë? Ne do të donim të gjithë që të jetonim në një botë ku nuk do të kishte arsye të vërteta për hetimin sekret të njerëzve. Por siç edhe ngjarjet vazhdojnë të na e provojnë, kjo nuk është bota ku ne gjendemi.

(Autori është drejtor i Shërbimit Britanik të Sigurisë. Materiali është një pjesë e shkëputur nga fjala që Parker ka mbajtur në datën 8 tetor 2013 në forumin e organizuar nga Instituti i Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore).

Leave a Reply

Your email address will not be published.