Në një shtëpi në rrugën e qetë të qytetit francez të katedrales Chartres jetonte Omar Ismail Mostefai për disa vjet deri në vitin 2012.
“Gruaja e tij nuk punonte dhe kishin një vajzë shumë të re, asgjë e dyshimtë,” tha çifti i cili ka jetuar afër tyre.
“Ai ishte 25 vjeç në atë kohë. Ishte i gjatë, kishte flokë të gjatë dhe një mjekër të shkurtër dhe nuk vishej në mënyrë fetare. Ai nuk ka punuar rregullisht, por kishte punë të përkohshme dhe nuk kishte fare vizita “, tha gruaja që banonte aty, raporton “The Guardian”, transmeton “Zëri”.
Tre vjet pasi fqinjët e tij e panë për herë të fundit, Mostefai, 29, ishte një nga tre burra që shkuan me një makinë të zezë Polo në Paris në natën e së premtes dhe hynë në një koncert roku në sallën e Bataclan, para se të hapnin zjarr mbi turmën me kallashnikov.
Të mbijetuarit folën për tmerrin e “kasaphanës”, në të cilën njerëzit u qëlluan në mënyrë të rastësishme dhe, kur njerëzit u shtrinë për tokë, ata i kthyen armët e tyre automatike mbi ta dhe kishin shtënë prapë. Të paktën 89 njerëz vdiqën në sulmin më të përgjakshëm të koordinuar.
Mostefai ishte i pari që u identifikua nga shtatë sulmuesit dhe bombarduesit vetëvrasës që kryen sulme të njëkohshme natën e së premtes në Paris, kjo sepse një majë e gishtit që iu kishte këputur i mundësoi policisë ta identifikojë.
Mostefai ishte francez, u lind dhe u rrit në Essonne, 25 km në jug të Parisit. Prindërit e tij, ose të paktën i ati i tij, besohet të ketë qenë me origjinë algjeriane, transmeton “Zëri”.
Mostefai kurrë nuk kishte qenë në burg, por u dënua tetë herë për krime të vogla në mes moshës 19 dhe 25, si vozitja e makinës pa licencë. Një njeri i cili ishte në shkollë të mesme me të ka thënë: “Ai nuk ishte një ngatërrestar. Ai ishte dikush që e mbronte veten dhe nuk lejonte të tjerët ta shkelnin por ai nuk ishte dikush që kërkonte probleme. Ishte i qetë, jo dikush që do ta vinit re.”
Ai tha se Mostefai shkonte në lutjet e së premtes dhe respektonte Ramazanin, por në atë kohë ai nuk dukej shumë “serioz” në lidhje me fenë.
Në vitin 2010, Mostefai kishte qenë objekt i një skedari policie “S” për radikalizëm, por prokurori i shtetit tha se ai kurrë nuk kishte qenë i implikuar në ndonjë rast të një organizate terroriste.
Policia është duke hetuar nëse Mostefai udhëtoi për në Siri në 2013-2014.
Nëse është kështu, kjo do të rrisë presionin mbi shërbimet franceze të inteligjencës në një vend që ka eksportuar më shumë xhihadistë se çdo tjetër vend në Evropë dhe ku shërbimet e sigurisë po sfidohen për monitorimin e atyre që kthehen, transmeton “Zëri” shkrimin e “The Guardian”.
Gazeta lokale “Le Journal du Centre”, raporton se Mostefai mori pjesë në një xhami në Lucé, një qytet në kufi me Chartres, dhe mund të jetë shoqëruar me një radikal belg i cili e vizitoi xhaminë.
Kryetari i Shartrit, Jean-Pierre Gorges, ka thënë: “Pyetja është nëse ekziston një fraksion në Chartres ose nëse Mostefai ishte një individ i izoluar me rrjetet e tjera belge ose të tjerë.”
Të afërmit e Mostefait në Francë janë duke u marrë në pyetje nga policia – një procedurë rutine në raste të tilla. Vëllai i tij, i cili vullnetarisht shkoi në një stacion policie në Essonne, i tha AFP se kishte humbur kontaktin me vëllain për vite, pas një konflikti familjar, dhe mendonte se ai kishte shkuar në Algjeri.
“Nuk kisha dëgjuar nga Omar për një kohë të gjatë,” tha ai. /ZËRI/