Institucionet vendore, ndërkombëtare, partitë politike, e analistë, konsiderojnë se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit janë historike për Kosovën, sepse, sipas tyre, prej shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, të gjithë qytetarët e vendit, duke përfshirë edhe serbët e veriut, të dielën do të votojnë për herë të parë.
Ata kanë thënë se pjesëmarrja e serbëve të komunave qendrore në zgjedhje lokale në vend do të jetë shumë më e lartë se në zgjedhjet e kaluara, duke shpjeguar se pjesëmarrja më e madhe në zgjedhje do t’i kontribuojë edhe thirrja e autoriteteve të Serbisë për dalje në votime.
Udhëheqësi i listës “Srpska” në komunën e Parteshit, Zoran Stojkoviq, ka theksuar se pas këtyre zgjedhjeve do të zhbëhen të gjitha strukturat e deritanishme paralele serbe.
“Pjesëmarrje më e madhe pritet edhe në komunat e tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe, por jo edhe në katër komunat e veriut”, thotë ai.
Megjithatë,shumë analistë janë të mendimit se këto zgjedhje mund të konsiderohen si shumë të rëndësishme, për faktin se për herë të parë prej përfundimit të luftës së Kosovës në vitin 1999 zgjedhje lokale të organizuara nga autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare do të mbahen në gjithë territorin e Kosovës.
Sipas analistëve, kjo është mundësuar me marrëveshjet e arritura në Bruksel mes kryeministrave të Kosovës Hashim Thaçi dhe Serbisë Ivica Daçiq.
Analisti Behlul Beqaj është i mendimit se këto zgjedhje janë vetëm hapi i parë drejt ndarjes përfundimtare të Kosovës.
Pushteti serb, sipas tij, ka luajtur me vite të tëra me serbët në veri.
“Tani kemi një situatë paradoksale, sepse në Kosovë po kërkohet një zgjidhje për problemin etnik, ndërkohë që një nga standardet evropiane është ndërtimi i shoqërisë multietnike dhe multikulturore. Në shtigje afatgjata ne po investojmë në destabilizimin e veriut”, pohon Beqaj.
Ai shpjegon se pas zgjedhjeve në veri do të bashkohen katër komunat me shumicë serbe dhe do të krijohet një entitet i fortë, i cili pas një periudhe jo tepër të gjatë, do të kërkojë bashkimin me Serbinë, në vend që të bashkohen në institucionet e Kosovës.
Ndërsa, avokati serb Ljubomir Pantoviq, mendon ndryshe, sepse ai ka thënë se në veri do të ketë probleme dhe vështirësi të mëdha.
“Një ditë institucionet e Kosovës do ta shtrijnë pushtetin edhe në këtë pjesë të vendit”, ka thënë ai.
Por analistët e edhe qytetarët e veriut të Kosovës, bëjnë thirrje për kujdes, sepse nuk mund të përjashtohet as mundësia e incidenteve gjatë këtyre zgjedhjeve. Sipas tyre kundërshtarët e pjesëmarrjes në zgjedhje mund të përdorin edhe dhunë ndaj atyre, që duan të votojnë.
Për çështjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq, shpesh janë shpehur të pakënaqur me përgatitjet e zgjedhjeve, po ata u kanë bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, sepse sipas tyre, se serbët në këtë mënyrë mund të mbrojnë më mirë interesat e tyre.
Por, përfaqësuesit e Partisë Demokratike Serbe të ish kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, të cilët në veri ende kanë një influencë të madhe, mendojnë se me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje ata do ta njohin përfundimisht pavarësinë e Kosovës.
Nënkryetari i DSS, Sllobodan Samarxhiq, ka bërë thirrje që të gjithë serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet, sepse, siç ka thënë ai me pjesëmarrjen në zgjedhje ata do të konfirmonin tradhtinë e qeverisë në Beograd.
“Serbët në veri brenda disa muajve do t’i humbin të gjitha, që kanë pasur deri tani: të ardhurat nga Beogradi, pasurinë, sigurinë elementare dhe jetën normale”, ka theksuar Samarxhiq.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, kanë deklaruar njëzëri se të gjithë pa përjashtim në Kosovë, duket të angazhohen që procesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit të jetë i lirë dhe i ndershëm.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka përshëndetur shprehimisht faktin që në zgjedhjet lokale në Kosovë, po mbahen për herë të parë edhe në veri të vendit. Sipas tij ky është një hap tjetër i rëndësishëm për zhvillimin politik të Kosovës.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje të rëndësishme. Përmes pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje të gjithë qytetarët mund të garantojnë që zëri dhe shqetësimet e tyre të dëgjohen në Kosovë. Zgjedhjet janë një tregues i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Kosovës”, ka thënë Westerwelle.
Perspektiva e Kosovës, sipas tij, si dhe fqinjëve të saj në Ballkanin Perëndimor është në BE.
Kurse jë ditë para zgjedhjeve komunale, presidentja e shtetit Atifete Jahjaga, ka përcjellë porosinë tek të gjithë se vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është e paprekshme, e pashkelshme dhe e lirë.
“Çdo përpjekje për të prekur këtë votë dhe çdo përpjekje për të manipuluar me këtë të drejtë të qytetarëve të lirë të Republikës së Kosovës, do të ndëshkohet fuqishëm”, ka thënë e para e shtetit Jahjaga.
Kurse, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj pret që në veri, në zgjedhje të ketë një pjesëmarrje prej 30 për qind të qytetarëve serbë.
Ai ka theksuar se Beogradi nuk ka shpërbërë të gjitha strukturat në veri dhe se disa prej tyre ende po i mbështet dhe ato tani po operojnë nga shtëpitë private.
“Beogradi po ushtron trysni tek serbët e Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e jetës publike dhe institucioneve të Kosovës dhe se ata po përpiqen të mbështesin ata serbë që janë kundër shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq, organizatat vendore joqeveritare, të cilat janë të angazhuara në procesin e vëzhgimit të procesit zgjedhor të 3 nëntorit, kanë vlerësuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që ky proces të jetë i lirë dhe demokratikë.
Ata kanë thënë se janë bërë përgatitjet për vëzhgimin e procesit të zgjedhjeve në të gjitha vendvotimet, përfshirë edhe ato në katër komunat në pjesën veriore të vendit.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë përgatitjeve të vazhdueshme për Zgjedhjet Lokale 2013, prioritet ka pasur dhe akreditimin e vëzhguesve zgjedhor. Bazuar në rregullat dhe ligjin zgjedhor, KQZ, sipas rekomandimeve të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, ka miratuar 30.173 vëzhgues.
Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e 03 nëntorit marrin pjesë 25 parti politike me gjithsej 21.030 vëzhgues, 30 nisma qytetare me gjithsej 5535 vëzhgues, dy koalicione me gjithsej 253 vëzhgues, katër kandidatë të pavarur me gjithsej 167 vëzhgues, 15 ambasada dhe zyra ndërlidhëse me gjithsej 210 vëzhgues, katër organizata ndërkombëtare me gjithsej 254 vëzhgues, dy institucione me gjithsej 54 përfaqësues, 21 organizata jo qeveritare vendore me gjithsej 2.479 vëzhgues dhe 23 media me gjithsej 191 përfaqësues.