Gjithsej 82 deputetët nga pozita janë bashkuar në një kërkesë të vetme për të kërkuar më shumë siguri gjatë seancave plenare.
Gjithsej 82 deputetët nga pozita janë bashkuar në një kërkesë të vetme për të kërkuar më shumë siguri gjatë seancave plenare.
Kjo kërkesë e nënshkruar nga deputetët e mazhorancës drejtuar Kryesisë së Kuvendit sot edhe u shqyrtua.
Ajo u arsyetua nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe nga shefat e dy grupeve më të mëdha parlamentare – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përveç kryetarit të Kuvendit dhe shefave të Grupeve Parlamentare edhe deputetët nga këto dy subjekte konfirmuan për KosovaPress se i janë përgjigjur pozitivisht një nisme të tillë dhe se për ta është e rëndësishme që të ushtrojnë funksionin dhe detyrën që kanë në kushte normale dhe pa presione dhe dhunë.
Kryeparlamentari Veseli pas mbledhjes së kryesisë përsëriti edhe njëherë kërkesën ndaj opozitës për të marrë pjesë në seancë, për çka tha se sërish kishte marrë përgjigje negative nga shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Aida Dërguti.
Per shefin e deputetëve të PDK-së Adem Grabovcin kjo kërkesë është bërë me qëllim që të sigurohen deputetët dhe të respektohet ligji duke iu mundësuar të zgjedhurve të popullit që ta thonë fjalën e tyre për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kuvendin dhe shtetin e Kosovës.
Ndërsa shefi i GP të LDK-së Ismet Beqiri theksoi se me këtë kërkesë është shprehur shqetësimin i shumicës së deputetëve e që ka të bëj me mbarëvajtjen e punës së Kuvendit dhe se për këtë duhet të merren masat e nevojshme nga ana e organeve të rendit.
E shqetësuar me gjendjen në të cilën është dashur të marrë pjesë në seancat e kaluara është deputetja nga radhët e PDK-së Xhevahire Izamaku, e cila theksoi se ka nënshkruar këtë kërkesë me shpresën që kontrollet e sigurisë të japin rezultat e tyre, e jo sikurse në seancat e kaluara.
Deputetja tjetër nga radhët e PDK-së Ganimete Musliu në një prononcim për KosovaPress ka deklaruar se Kuvendi tashmë ka toleruar më shumë se që duhet, duke i dhënë shumë kohë opozitës për të reflektuar. Ajo përveç që tha se ka nënshkruar këtë kërkesë, deklaroi se nëse as nesër nuk do të ketë seancë e përsëritje të skenave të kaluara, ekziston rreziku që deputetët të mos i përgjigjen ftesës së Kuvendit për të marrë pjesë në seanca.
Deputeti nga radhët e LDK-së Blerim Grainca deklaroi se zhvillimet e fundit në Kuvend duke qenë jonormale kanë ndikuar që këta deputetët të kërkojnë masa shtesë për të kryer normalisht punën e tyre.
Edhe deputetja nga radhët e LDK-së Besa Gaxherri përmes telefonit ka konfirmuar për KosovaPress se ka nënshkruar këtë kërkesë, me qëllim që për deputetët të ofrohet siguri dhe stabilitet në punën që bëjnë, e për një gjë të tillë, sipas saj, është e obliguar Kryesia e Kuvendit.
Ndryshe, që nga fillimi i sesionit vjeshtor janë zhvilluar vetëm tri seanca normale, dhe ato të karakterit solemn – ajo për pritjen e presidentit austriak Heinz Fischer, seanca për ratifikimin e MSA-së, dhe seanca ku para deputetëve mbajti fjalim komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian Johannes Hahn/KP