Në Kosovë po vazhdon riatdhesimi i personave, të cilët kanë migruar ilegalisht në fund të vitit të kaluar nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian.
Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nga janari i këtij viti e deri më tani janë riatdhesuar mbi 15 mijë persona.
Ai ka shtuar se riatdhesimi do të vazhdojë, duke u bazuar në marrëveshjet për riatdhesim që i ka bërë Kosova me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato shtete që nuk janë pjesë e BE-së. “Nga një janari e deri në këto momente janë riatdhesuar rreth 15.500 persona. Procesi i riatdhesimit është duke vazhduar, shtetet po vazhdojnë t’i kthejnë konform marrëveshjeve për riatdhesim. Mirëpo, nuk kemi ndonjë sinjal për ndonjë fluks më të madh apo diçka të ngjashme”, ka deklaruar Krasniqi. Qytetarët të cilët kthehen në Kosovë nuk përfitojnë nga Programi i riintegrimit, por janë disa “skema të natyrës urgjente që mund t’i përfitojnë të gjithë të riatdhesuarit”.
Vetëm në rastet kur një familje nuk ka ku të strehohet, komuna që i takon dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet t’i bëjë zgjidhje.
Në fillim të shtatorit, nga Gjermania është kthyer Rufie Omuri nga fshati Greme, Komuna e Ferizajt. Omuri në fillim të këtij viti bashkë më bashkëshortin dhe tre fëmijët në mënyrë ilegale kishin emigruar në Gjermani.
Por, në Kosovë është kthyer vetëm Rufie Omuri më fëmijë, kurse bashkëshorti, siç thotë ajo, ditën e kthimit nuk ka qenë bashkë më ta, kështu që ende vazhdon të qëndrojë në shtetin e Gjermanisë.
Ajo ankohet se pas kthimit autoritet qendrore po ashtu edhe ato komunale nuk i kanë ndihmuar me ndonjë asistencë sociale. “Pas kthimit jam lajmëruar në komunën e Ferizajt, zyra për kthim. Por, nuk kam marrë asnjë ndihmë. Më kanë thënë se nuk përfitoj asgjë për shkak se nuk kam qëndruar shumë në Gjermani. Veç ata që rrinë në shtetet Bashkimit Evropian, katër ose pesë vite, mund të marrin ndihma. Keq sepse ne kemi marrë para borxh për të emigruar, kështu që nuk po mundemi ta paguajmë”, ka treguar ajo.
Rufie Omuri ka shtuar se po t’i jepet mundësia, jo në mënyrë ilegale, me dëshirë do të braktiste Kosovën për t’u zhvendosur në Gjermani, në mënyrë që të bashkohet me burrin e saj. “Burri nuk është kthyer, ai është në Gjermani por nuk është duke punuar. Po të kisha mundësi, as një minutë nuk kisha qëndruar këtu (në Kosovë). Por, jo në mënyrë ilegale. Nuk e marrë, as nuk e provoj më atë rrugë”, është shprehur ajo.
Në dhjetor të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti, mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kanë braktisur Republikën e Kosovës për shkak të siç thuhet “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian”.
Kalimi ilegal është bërë fillimisht duke kaluar në Serbi dhe më pas, kryesisht përmes trafikantëve, duke kaluar në vendin e parë të BE-së, Hungari.