Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharkui, ka thënë se përballet me presion më të madh për shkak të investimeve të mëdha kapitale, qoftë nga ana e biznesit qoftë e publikut.
Ai në emisionin “Puls” të KTV-së ka folur edhe për rregullat e reja në komunikacion.
Në lidhje me çështjen e patentshoferëve, ku dyshohet se ka shumë keqpërdorime, Ministri Zharku këtë e cilësoi si problemin më të madh.
“I kam ndërruar ekzaminerët dhe tash janë të jashtëm, pasi që të gjithë kandidatët e kalonin testin dhe pajiseshin me patentshoferë. Ndërsa tash ka përmirësim, më pak kandidatë janë duke e kaluar provimin”, theksoi ai.
Ai bëri me dije se me Ligjin e ri për rregullat në komunikacion, të cilin tha se e kanë dërguar në Qeveri, do të ketë dënime drastike për tejkalim shpejtësie.
“Nëse e tejkaloni shpejtësinë, pra nëse është 40 km në orë e ju e tejkaloni dhe shkoni mbi 70 km në orë, do të shkoni drejt 6 muaj në burg”, ka theksuar Zharku.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, preku edhe çështjen e bashkatdhetarëve të cilët pothuajse çdo vit mashtrohen me bileta dhe mbesin të ngujuar në aeroport.
“Çdo bashkatdhetar që mbetet në aeroport, duhet të vjen tek ne dhe ta mbush një formular dhe të bëjë padinë”, tha ministri Zharku.